Luftëtari me probleme ekonomike, a do të dorëzohet Mezani?
Humbja ndaj Kamzës e ka vendosur Luftëtarin në një pozitë të vështirë në klasifikim, pas ngjitjes së menjëhershme në javët e para, nën drejtimin e Gentjan Mezanit. Vlonjati riktheu lojën e bukur në Gjirokastër, si dhe pikët e munguara, por problemet financiare kanë bërë që gjithçka e mirë të flaket tutje.
Pjesa dërrmuese e ekipit prej javësh ka nisur të mendojë për prishjen e kontratës, duke nisur edhe negociatat me klube të tjera. Në javët e fundit është parë në fushë një skuadër pa grintë dhe pa dëshirë, çka është theksuar edhe nga vetë trajneri në deklaratat e tij pas ndeshjeve.
Tashmë situata është shumë e vështirë dhe pikëpyetjet e mëdha janë edhe mbi të ardhmen trajnerit, a do të dorëzohet mezani? Një komandat pa ushtri nuk mundet të arrijë sukseset dhe për mënyrën se si po rrjedhin ngjarjet, tek zikaltërit është shumë e vështirë të mendosh që 38-vjeçari të jetë shumë gjatë në krye të Luftëtarit.
Deri në fund të kësaj faze janë edhe dy ndeshje, por kalendari nuk dhuron sfida dosido për gjirokastritët, që këtë fundjavë udhëtojnë në Korçë dhe më pas presin Partizanin në shtëpi. Dy pretendentët për titull nuk mund të përballohen me një skuadër pa dëshirë, pasi një nga armët më të forta të këtij grupi ka qenë grinta dhe vullneti për të treguar më të mirën në fushën e lojës.
E ardhmja e Mezanit duket e njëjtë me atë të skuadrës dhe vështirë të mendosh që timonieri i zikaltërve të vijojë më tej në një situatë të tillë. Sinjalet i ka dhënë edhe dje në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku u shpreh se “pritja e ka një kufi”.



