Kastrioti, motivim dhe merkato për shpëtimin
2 fitore në 3 javë ndezën shpresat te Kastrioti se situata mund të kthehej në favor të tyre, por duket se humbja me Tiranën ka kthyer pesimizmin në Krujë. Formacioni i Stavri Nicës është rikthyer në vendin e fundit të klasifikimit dhe tashmë duhet një sforcim i madh për të kaluar në një situatë më të favorshme. Vetë trajneri ka deklaruar se në skuadër nuk ka elementë cilësorë që bëjnë diferencën dhe për këtë arsye arma e vetme që krutanët kanë në dispozicion është motivimi.
Pikërisht me grintën e tyre arritën të merrnin fitore ndaj Kamzës dhe Flamurtarit, duke u rikthyer në garën për mbijetesë aty ku shiheshin prej javësh si të rënë. Tashmë, në dy ndeshjet e ardhshme, në shtëpi ndaj Teutës dhe në transfertë ndaj Kukësit nevojitet sërish një motivim ekstra për të marrë pikët e nevojshme që do t’u jepnin qetësi në klasifikim dhe dëshirë për të ndryshuar situatën.
Në një moment të tillë, shpëtimi mund të vijë edhe nga merkato e janarit, ku mund të ndërhyhet për të afruar në skuadër cilësinë e munguar, në mënyrë që ekipi përveç grintës dhe motivimit të ketë në fushë dhe diçka më shumë. Për momentin, deri sa të hapet merkato Kastrioti duhet të përballojë dy kundërshtarët e ardhshëm me motivim, duke mos falur asnjë pikë për të synuar deri në fund mbijetesën.



