Reali lë “nam” në Bernabeu, Roma në krizë!
Një skuadër që ka fituar tre herë radhazi UEFA Champions League dhe që është rekordmenja e këtij kompeticioni me 13 trofe të fituar, nuk mund të humbasë kurrësesi 0-3 në shtëpi ndaj CSKA-së së Moskës. As vendi i parë në grup i siguruar që përpara kësaj sfide dhe as mungesat e shumta në formacion nuk mund të justifikojnë figurën e shëmtuar që bëri Reali i Madridit i Santiago Solarit brenda në Santiago Bernabeu përballë ekipit rus që luftonte për një vend në Europa League me Viktoria Plzen por në fund pavarsisht kësaj fitoreje të madhe nuk arriti ta shmangte dot vendin e fundit në grupin G dhe eliminimin nga kompeticionet europiane për këtë sezon. Kjo mund të konsiderohet pa frikë dhe si humbja më “horror” e Realit në Champions, me Solarin që mori disfatën e dytë me të njëjtat shifra pas asaj ndaj Eibar në La Liga. Chalov, Schennikov dhe Sigurdsson ishin autorët e golave për CSKA-në që e mbylli grupin me pikë të barabarta 7 me Plzen por në Europa League shkoi skuadra çeke që kishte bërë më mirë në përballjet direkte. Edhe Viktoria Plzen e mbylli me fitore grupin pasi mposhti në shtëpi 2-1 Romën që nuk di më të fitojë duke u zhytur në një krizë rezultatesh. Golat e Kovarik dhe Chory bënë të pavlefshëm finalizimin e turkut Under për italianët.



