Drejt kryeqytetit, Cungu piketon formacionin që do të hedhë përballë Partizanit
Vetëm 3 javë më parë nuk do të konsiderohej një sfidë mes dy skuadrave rivale për titull, por Kukësi ja doli që në një hark të shkurtër kohor të rikthehej me forcë në duelin për trofeun.
3 fitoret e njëpasnjëshme e përgjysmuan diferencën me Partizanin nga 10 në 5 pikë dhe ky takim direkt do t’u japë mundësinë bluve të afrohen edhe më tepër në mbyllje të pjesës së parë të edicionit.
Trajneri Armando Cungu nuk e ka pasur thuajse asnjëherë grupin e plotë të lojtarëve dhe përjashtim nuk mund të bënte as takimi i radhës me të kuqtë. Përveç Musollit që do të kthehet në Mars, do të mungojë Irakli Dzaria i pezulluar. Vendin e gjeorgjianit do ta marrë Donjet Shkodra.
Skema me 3 mbrojtës ka funksionuar dhe të njëjtën formulë do të propozoj sërish tekniku shkodran. Në kuadrat do të luajë Frashëri, ndërsa para tij Krasniqi, Shameti e Cuculi do të plotësojnë repartin e mbrojtjes.
Në mesfushë do të vendosen Maliqi nga e djathta, Shkodra e Limaj në qendër dhe Cordeiro nga e majta. Sa i përket repartit të avancuar, anësorë do të jenë Çyrbja e Et’hemi, me Reginaldon në majën e sulmit.
Në letër edhe një barazim nuk do të ishte dramë përkundrazi, megjithatë morali i fituar në 3 javët e fundit, sidomos pas fitores me Skënderbeun, do të jetë arma plus e Kukësit.



