Nexhipi: Na penalizon fusha, kemi nevojë për sulmues
Pavarësisht faktit që Kukësi është ekipi më i mirë përsa i përket ndeshjeve jashtë fushe, në edicionin e sivjetshëm të Kategorisë Superiore, i intervistuar në emisionin “Gol pas Goli”, Drejtori Sportiv i klubit verilindor Nderim Nexhipi e konsideroi si problem të madh zhvillimin e takimeve në transfertë, por ai foli gjithashtu edhe për dëmtimet e shumta që ka patur skuadra deri në këtë pjesë të sezonit.
“Është e drejte, gjatë sezonit nuk patëm fat me lëndimet, si në rastet e Musollit dhe Rrumbullakut, gjë që u reflektua edhe në lojë. Kemi sjellë shumë lojtarë, por handikapi më i madh është fakti që nuk luajmë në Kukës”, deklaroi drejtori i verilindorëve.
Nexhipi theksoi gjithashtu edhe bashkëpunimin me trajnerin Cungu, si dhe nevojën e klubit për t’u përforcuar, veçanërisht në fazën sulmuese.
“Kemi patur biseda edhe me Cungun, po shohim nëse do të ndërhyjmë. Nëse e bëjmë, do të jetë në sulm pasi Harba e ka ndërprerë kontratën me ne. Në sulm kemi nevojë”, pranoi Nexhipi.
Sindrit Guri me transferimin e tij te Oostende në Belgjikë, përveçse mbushi arkën e klubit verilindor, shërben gjithashtu edhe si pikënisje dhe Drejtori Sportiv i Kukësit shpjegoi se politika e ardhme e klubit synon pikërisht gjetjen e futbollistëve të tjerë interesantë, prej të cilëve më pas mund të përfitohet edhe në aspektin ekonomik.
“Është fakt që Guri u shit në verë dhe arkëtuam shumë para. Jemi munduar të sjellim lojtarë që do të kenë interes nga ekipet nga jashtë. Aktualisht kemi lojtarë interesantë, por për momentin nuk mund të them nëse do të kemi rast si ai Gurit. Lojtarët duhet të bëjnë ndeshje të mira që të luajnë jashtë. Do të përpiqemi të sjellim lojtarë që do të jenë interesant për tregun e jashtëm”, u shpreh Nderim Nexhipi.



