Bundesliga

Leipzigu mbron vendin e katërt, fiton edhe Eitracht Frankfurti

Leipzigu rikthehet te fitorja në Bundesliga, pas disfatës në fushën e Freiburgut 3-0 javën e kaluar. Ekipi i “Red Bull” mposhti në shtëpi 4-1 Mainzin, në një sfidë të dominuar që nga minuta e parë. Yusuff Poulsen kaloi të tijtë në avantazh të dyfishtë me 2 gola brenda 5 minutave. Goli i parë erdhi pas një krosimi të Kevin Kampl, teksa futbollisti danez devijoi saktë topin në cepin e portës. Më pas, Poulsen shfrytëzoi mjaft mirë një pasim të shkurtër nga Timo Werner në krah, duke e pasur krejtësisht të thjeshtë të shtynte topin në rrjetë. Mainzi ngushtoi diferencat në të Onsiwo në të 38-ën, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një krosim të Öztunali. Në pjesën e dytë, ishte radha e “yllit” të Leipzigit, Timo Werner, për të shkëlqyer. Edhe sulmuesi gjerman realizoi një dygolësh, fillimisht në minutën e 74-rt, ku pas një pasimi të Demme= dribloi portierin Zentner dhe shënoi me portën e boshatisur. 2 minuta para fundit të kohës së rregullt, Werner finalizoi në mënyrë perfekte me një goditje në trekëndësh, pas një vertikalizimi të saktë nga Poulsen. Pas kësaj fitoreje, Leipzig gjendet në vendin e 4 të Bundesligës, me 28 pikë të grumbulluara.
Në sfidën tjetër mes Eintrachtit të Frankfurtit dhe Bayer Leverkusenit, fitues ishin vendësit me rezultatin 2-1. Fillimisht, “Aspirinat” kaluan në avantazh me anë të Karim Bellarabi, por sistemi VAR anulloi golin, për shkak të një pozicioni jashtë loje. Në minutën e 28-të, Frankfurti kaloi në avantazh me anë të Costas, i cili u gjend me portën e boshatisur pas një pasimi të Kostic. Ishte pikërisht futbollisti serb ai që dyfishoi rezultatin në të 57-ën, duke i dhënë siguri ekipit të tij. Pak minuta më pas (65’), Bellarabi shënoi përsëri, kësaj here në mënyrë të rregullt, duke ngushtuar diferencën dhe duke i dhënë shpresë Leverkusenit. Gjithsesi, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Frankfurtin që ruajti vendin e 5-të në klasifikim me 26 pikë në 15 ndeshje.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency