Trashi: E ardhmja? Të dalim kampion, pastaj shohim
Lorenc Trashi doli përkrah Gegës në konferencën e radhës për shtyp, të cilin e nisi me një koment për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në Superiore.
“Ndihem i vlerësuar për këtë çmim dhe më jep një shtysë që të punoj më shumë dhe me këmbë në tokë të arrij objektivat që kam personalisht. Normalisht Luftëtari vjen pas një fitore me Skënderbeun dhe janë mirë moralisht. Ne e kemi përgatitur mirë ndeshjen dhe nuk duhen parë pikët, pasi Luftëtari i ka elementët. Është ndeshje e vështirë dhe shpresoj të dalim mirë.”
Largim nga Shqipëria: Nuk ka pasur oferta tunduese që të më kënaqin apo të tundojnë presidentin. Të mbarojmë kampionatin njëherë. Pres fundin e kampionatin dhe nëse dalim kampion do të jetë mirë dhe gjithçka do të shkojë në rregull për mua dhe për klubin
Frymë ndryshe në ekip: Partizani ka qenë edhe herë të tjera kaq mirë, nuk mund t’ua mohojmë vlerat trajnerëve të tjerë. Është viti i pestë që jam te Partizani e gjithmonë kemi qenë për titull. Ky vit është më ndryshe dhe duket shumë i qetë. Është frymë tjetër në ekip dhe profesori ka bërë shumë mirë. Është ndryshe sa i përket qetësisë dhe harmonisë.
Ndryshimet me Gegën: Është komunikimi që e kam pasur problem në vitet e kaluara dhe për mua është diçka e mirë e kjo jo vetëm për mua. Është mirë të kesh një trajner që komunikon mirë dhe që sillet si shok e mik dhe lojtari ashtu jep 200% në fushë.
Merkatoja: Për përforcime ka nevojë edhe Reali e jo Partizani. Stafi do të ulet pas ndeshjes me Luftëtarin dhe do të diskutojë çdo gjë. Ndoshta edhe nuk ka nevojë për afrime. Frikë nuk kemi por çdo ekip merr lojtarë aty ku i mungojnë dhe pak a shumë e njohim njëri-tjetrin. Nuk ka një ekip që bën shumë diferencë dhe me blerjet që bën tani të jetë super i frikshëm. Jemi aty-aty.
Shkurtaj te Kukësi: Pa i hequr vlerat si sulmues, ai deri tani ka qenë kundërshtari im. Ka bërë zgjedhjen e vet dhe e respektojmë zgjedhjen e tij.
Mbrojtës i majtë: Po të jesh afër portës ndihesh më mirë, por kjo nuk më ka penguar. Kam qenë shumë aktiv. Jam mirë si mbrojtës i majtë.



