Partizani shumë arsye për të fituar në Gjirokastër, Kukësi për “formalitet” me Kastriotin
Kategoria Superiore rezervon këtë të diel dy takime që lidhen e njëra-tjetrën në një detaj: luftën për titullin kampion. Kukësi pret Kastriotin, ndërsa Partizani luan në transfertë me Luftëtarin. Të dyja sfidat luhen në të njëjtin orar, 13:30.
Partizani shkon në Gjirokastër pas dy barazimesh që kanë paksa shijen e fitoreve, ka mbajtur larg Kukësin dhe Teutën, duke u shkëputur madje nga Skënderbeu falë pikiatës së korçarëve. Ky është një Partizan që ecën edhe me llogari, qetësia dhe racionaliteti janë ndoshta përbërësit e suksesit të këtij sezoni, gjithsesi në Gjirokastër llogaritë janë ndryshe, aty duhet një fitore ndaj Luftëtarit, një sukses për ta mbyllur vitin 2018 me buzëqeshjen e merituar dhe shijuar më pas festat në kërkim të “dhuratave” të merkatos.
Sot nuk vlen të mendohet për të, çdo gjë në kohën e saj dhe pikësëpari duhet një sukses ndaj Luftëtarit. Pa Telushin, por me forcën e grupit dhe atë që do të thiret në mision për ta zëvendësuar.
Me shumë gjasa Kote, në lartësinë e duhur për të arritur objektivin. Përballë, Shkurtaj dhe Roca, kushedi si e përjetojnë, janë lojtarë të Kukësit që i ka blerë si “armët” shtesë për të luftuar vitin e ardhshëm pikërisht Partizanin, mision që ndoshta në ndërgjegjen e tyre fillon që këtë të diel, natyrisht edhe me dëshirën për t’I dhnë lamtumirën e duhur fanellës bluzi para publikut gjirokastrit.
Luftëtari vjen pas një fitoreje me Skënderbeun dhe dëshiron ta shfrytëzojë momentin. Problem mbeten pagat e prapambetura, një pjesë është premtuar se jepen pikërisht pas kësaj ndeshjeje.
Formë e gjetur motivimi apo tjetër zvarritje që nuk shërben psikologjikisht, këtë do ta tregojë vetëm sfida e kësaj të diele. Një vit më parë përfundonte 5-0 për Luftëtarin, por sa shumë kanë ndryshuar gjërat që atëherë. Ky nuk është i njëjti Partizan dhe ky nuk është i njëjti Luftëtar. Sa shpejt iku një vit!
3 fitore radhazi dhe një barazim përballë Partizanit, Kukësi është një ndër skuadrat që ka fituar më shumë terren këto javë në luftën për titull, ëndrrën dhe ambicien e madhe të kësaj skuadre para “gjelit të detit”. Ndeshja e fundit është ajo me Kastriotin. Të luash me humorin e presidentit Gjici para festave me një gjysmë hapi fals përballë skuadrës së fundit të tabelës është diçka që as nuk duhet imagjinuar, e megjithatë në fushë për Armando Cungun dhe skuadrën e tij nuk janë asnjëherë aq të lehta sa ç’mund të duken nga jashtë. Duhen gjetur ekuilibra, anashkaluar probleme e rregulluar situata, objektivi ama mbetet gjithnjë i njëjti, fitorja.
Kundërshtari i radhës ka pësuar 8 gola në dy ndeshjet e fundit dhe nuk ka shënuar asnjë, por asnjëherë nuk mund të bazohesh thjesht te statistikat, çelësi për t’ia dalë me sukses është pikërisht motivimi dhe vlerësimi i kundërshtarit për një ndeshje me përqëndrim maksimal, për ta mbyllur si duhet vitin ku Cungu do të ketë një Shkurtaj dhe një Roca më shumë në misioninj e tij. Mungesë e rëndësishme ajo të Cuculit, dikush që dhuron siguri në mbrojtje, apo dhe e Dzarias. Gati për t’i zëvendësuar Rrumbullaku dhe Limaj.
Mbetet për t’u parë çfarë Kastrioti do të jetë. Pas ndeshjes së fundit Stavri Nica akuzoi direkt një pjesë të lojtarëve se luanin kundër tij, akuzë e shoqëruar me një apel për drejtuesit për të ndryshuar organikën, ose në të kundërt do të largohet ai vetë. A do ta ndjekin lojtarët në këtë ndeshje? Këtë mund ta themi vetëm pasi ta kemi parë.



