Kategoria Superiore

Situata ekonomike e sportive, donatorët dhe merkato, presidenti i Tiranës rrëfehet në “Zona Gol”

Presidenti i Tiranës, Refik Halili ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” me Ilda Bejlerin, ku foli për situatën ekonomike dhe sportive të klubit bardheblu, hapjen ndaj donatorëve, por edhe planet për merkaton e janarit.

Çfarë përfaqëson Tirana për presidentin Halili?
Tirana është një aset i madh, edhe përgjegjësitë janë të mëdha, por në këto 3 vite kemi pasur shumë pengesa, sidomos nga viti 2015. Shpresoj që nga dita në ditë, të bëjmë më të mirën për këtë klub. Po punojmë me kujdes, edhe pse nuk kemi pasur rezultate të mira. Po shkojmë drejt zbardhjes së atyre problemeve që kemi pasur më përpara.

Çfarë i ka munguar Tiranës, për të pasur sukses në vitet e fundit?
Është pak e vështirë si analizë, por e sigurt është që nuk i kanë munguar paratë. Kemi pasur 5 futbollistë të paguar me një mesatare 100 milionë lekë në vit dhe nuk shkuam as në Europë. Ndoshta jam edhe unë përgjegjësi kryesor. Unë jam njeri që rrezikoj, por këto vite kanë qenë me humbje për ne. Vitin që na hodhën dhe na çuan në Kategorinë e Parë, ne kishim futbollistë që i çuam në Europë. Arkëtuam më shumë se 1 milionë euro dhe ishte vit i suksesshëm për të ardhurat, por ishte viti që nuk do harrohet kurrë, dhe unë do ngelem njeriu që e çova klubin drejt rënies. Edhe në ndeshjen në Shkodër që ndodhi sherri me tifozët dhe u dënuam 15 ndeshje, mendoj se ka pasur një dorë të fshehtë. Por, unë dua t’i lë pas dhe të vazhdojmë kampionatin, të arrijmë Kupat e Europës. Ëndrra ime është që ta zbardh klubin nga borxhet dhe për këtë po punoj.

Si është situata aktuale me borxhet?
Çështjet futbollistike pothuajse i kemi likuiduar, tani kemi edhe disa fuqi punëtore, apo kompani të treta që duhen likuiduar. Shpresoj që brenda këtij sezoni ne të kemi zeruar të gjitha borxhet e prapambetura.

A mendoni se duhet të fusni një frymë bashkëpunimi me ish-ët që i kanë dhënë lavdi Tiranës?
Jam shumë dakord për këtë punë. E kemi menduar që të bëjmë një bashkëbisedim me Kolën dhe 3-4 ish-futbollistë të klubit tonë. Janë shumë të shqetësuar për gjendjen e skuadrës nga rezultatet e fundit. Unë në këtë drejtim kam çaluar, e pranoj haptazi fare. Duhej të afroja më shumë ish-futbollistë për një bashkëbisedim, për të folur për të dalë nga kjo situatë.

Keni paralajmëruar afrimin e donatorëve të rinj te Tirana. Sa i hapur jeni në këtë drejtim?
Unë jam dakord të bashkëpunoj me cilindo, por gjysma e këtij investimi le t’i ngelet Tiranës tonë, sepse ne për atë klub do vazhdojmë të kontribuojmë. Të ardhurat do i çojmë përsëri te ai klub. Ka edhe njerëz që thonë të ardhurat t’i çojmë te shtëpia jonë. Unë jam i hapur dhe detyrimin më të madh e kam ndaj tifozerisë së Tiranës, ndonëse disa mund të thonë që i merr edhe me të mira. Bashkëpunëtorët rëndësi ka të jenë nga Shqipëria, sepse ka edhe njerëz që lëvizin jashtë Shqipërie. Jam i gatshëm të dëgjoj edhe tifozët, edhe në një takim të madh. Le të na venë me shpatulla pas murit. Jam i gatshëm t’i dëgjoj. Nuk e kam unë në dorë. Unë jam i hapur për bashkëpunim. Unë kam 66% të aksioneve, pjesën tjetër e ka Bashkia. Unë jam për bashkëpunim, jam i gatshëm të jap edhe unë aksione. Dua të bashkëpunoj. Ai që ka 51% në biznes, bën ligjin, por unë jam edhe për 50-50. Unë mund të fus 5 vetë bashkëpronarë te pjesa ime, ai te pjesa tjetër mund të fusë edhe 50 vetë të tjerë.

Sa e përfshirë është bashkia e Tiranës në klub?
Për sa i përket Bashkisë, kemi punuar që t’i nxjerrim aksionet në shitje, pasi nuk ka interes te klubi, duke qenë se është me humbje te klubi. Për sa i përket çështjes financiare, ata kanë dalë në konkluzionin që klubin ta shesin dhe kështu të plotësojnë edhe mangësi që kanë bërë nga këto vite.

A është familja Nuri një opsion për të kontribuuar te Tirana?
Unë Lutin e konsideroj një mik të familjes dhe kam kënaqësi që këto pyetje t’i bëhen edhe familjes Nuri. Dua që edhe ata ta shohin si biznes, jo thjesht të vijnë edhe ata këtu, dhe të jenë pjesë. Ndoshta ata që duan të futen këtu, duhet të shohin edhe ato që janë bërë. Nuk është e drejtë që ata të shohin gjithë atë që është bërë dhe të vijnë të marrin pjesën e fitimit. Luti e ka derën të hapur, sepse klubi është edhe i tij, jo vetëm i imi.

A rrezikon rënien Tirana?
Kur bisedoj me specialistë, të gjithë kanë mendimet e veta. Klubi ka nevojë për ndërhyrje, por unë them që 80% e skuadrës është e mirë, ndonëse do të bëjmë edhe ndonjë ndërhyrje. Stafi duhet të jetë i guximshëm dhe futbollistët që nuk e meritojnë të lozin, të mos luajnë. Jam i gatshëm të bëjmë edhe merkato në janar. Kemi pasur rezultate të dobëta, por ia kam thënë Memës se çfarë duhet rregulluar. Në fund, e vendos stafi si do luhet. Fitorja me Flamurtarin na duhej, na qetësoi pak.

Si ishte marrëdhënia juaj me Ze Marian dhe pse u largua ai nga Tirana?
Nuk ka pasur njeri që ka qenë me rehat e më komod se Ze Maria, unë nuk kam bërë ndonjëherë ndërhyrje në skuadër. Ka pasur njerëz të interesuar të thonë që ai heq trajnerë, bën si të dojë. Ze Marian e kam larguar unë dhe po e bëj të thjeshtë. Sinqerisht e kishim në kontratë, po të doja e ndërprisja pa problem. Por nëse e ndërprisja këtë kontratë do të thoshin ishte i papërgjegjshëm, si e largoi këtë trajner. Ze Maria kishte marrë dekoratat në qafë, kishte një opinion i mirë, kishte njerëz që më thoshin që mos e largo. Janë rezultatet ato që larguan. Unë kam folur mirë për trajnerë kur kishte rezultate, edhe për trajnerin Daja, për të cilin para se të largohej, thashë se ishte i duhuri, por nga mungesa e rezultateve u ndërpre marrëveshja. Kur e mora Ze Marian, nuk e mora për emër të madh se ramë nga kategoria. Nuk e mora për t’u larë, sepse ajo që ndodhi nuk lahet as me 10 tituj kampion. Hektori më tha kam një emër, drejton filan skuadër. Pyetëm me të tjerë, meqë kishte dëshirë të afrohej dhe ramë dakord. I jam përkushtuar skuadrës, i kam qëndruar afër, i kam plotësuar çdo pjesë Ze Marias.

Çfarë do të donit të bënit ndryshe te Tirana?
Kur shkuam në Kategorinë e Parë, që uroj të mos shkojë asnjë klub aty, kam bërë një gabim. Duhej të bëja revolucion, të shkatërrohej i gjithë grupi. Por, duke mos dashur që të rrimë disa sezone aty, bëra marrëveshje dhe pagat nuk lëvizën. Ndoshta duhet të veproja ndryshe.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency