Marotta punon për merkaton e verës, ja emrat në bllokun e shënimeve
Giuseppe Marotta iu bashkua Interit në fillim të Dhjetorit, duke marrë postin e Administratorit të Deleguar për aspektin sportiv të klubit dhe ka filluar menjëherë nga puna për përforcimin e skuadrës.
Gjithsesi vlen të theksohet se ish drejtuesi i Juventusit nuk ka aspak në plan të ngulmojë për transferime të rëndësishme në janar, pasi vëmendja e tij është krijimi i një organike konkurruese për sezonin e ardhshëm.
Kështu mediat italiane zbulojnë se në bllokun e shënimeve të Marottës janë disa lojtarë, ku përveç emrave të rinj, nuk mungojnë as kampionë të mëdhenj, që do të sjellin eksperiencë dhe mentalitet fituesi.
Ajo që tërheq vëmendjen në objektivat e zikaltërve, është se në prioritetet e Marottës ka shumë lojtarë italianë, pasi vetë drejtuesi i Interit ka vënë theksin te shtimi i klanit vendas në organikën e skuadrës.
Gjithsesi nuk mungojnë as emrat e të rinjve të talentuar si nga kampionati italian, ashtu edhe nga ai brazilian, argjentinas, ndonjë tjetër, ndërsa synimi është rikthimi i zikaltërve në nivele të larta.
Kështu në mbrojtje po punohet për emra si Romero i Genoas, Andersen i Sampit, por edhe Mancini i Atalantës, të tre futbollistë të rinj, që paraqesin alternativa të rëndësishme si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen.
Sa i përket mesfushës, vëmendja është drejtuar nga italianët Barella e Tonali, për të cilët do të duhet të bëhet një luftë e vërtetë me klube të tjera, pasi kanë admirues të shumtë në Itali dhe jo vetëm.
Më poshtë janë edhe disa nga emrat për të cilët Marotta dhe Ausilio po punojnë për t’i vënë në dispozicion të Spallettit, duke filluar nga sezoni i ardhshëm.
- Romero – Genoa
- Andersen – Sampdoria
- Tonali – Brescia
- Mancini – Atalanta
- Darmian – Manchester United
- Pellegrini – Roma
- Barella – Cagliari
- Brazao – Cruzeiro
- Lincoln – Flamengo
- Trincao – Braga
- Godin – Ath. Madrid
- Modriç – Real Madrid















