Nga depresioni te karrigia e invalidit, Dalmat rrëfen peripecitë dhe një histori me Ronaldon
Në Itali i ka shkuar shumë pranë fitores së kampionatit, teksa luante me Interin e Hector Cuperit, ndërsa më pas u transferua në Premier League, La Liga, Ligue 1 dhe në fund mbylli karrierën në Ligue 2.
Bëhet fjalë për mesfushorin e talentuar Stephane Dalmat, i cili iu bashkua Interit si një futbollist mjaft premtues, por përtej aftësive, kaloi një karrierë me ulje dhe ngritje të shumta.
Por pak dihet për jetën e tij pas futbollit, që nga vera e vitit 2012-, kur Stephane Dalmat vendosi të “varë këpucët në gozhdë”, pasi mbylli kontratën me skuadrën e Nimes në Ligue 2, në Francë.
Që prej asaj kohe Dalmat ka kaluar një sërë peripecish, shumë më të vështira sesa ato në botën e futbollit, të cilat i ka ndarë me publikun, në një intervistë të dhënë për mediat franceze.
Depresioni: Pasi lashë futbollin, kalova në depresion dhe u kurova për disa muaj. Kisha kaluar thuajse gjithë jetën time duke u stërvitur dhe kur vendosa të ndalem, e pata shumë të vështirë përshtatjen.
Aksidenti i rëndë: Një vit e gjysmë më parë, u aksidentova me një skuter në Bordeau dhe qëndrova për 6 ditë në gjendje kome. Më pas për 6 muaj me radhë qëndrova në një karrocë invalidësh dhe iu nënshtrova mbi 30 operacioneve për t’u rikthyer në gjendjen normale. Për këtë gjendje kishte dijeni vetëm familja ime, që më qëndroi pranë tërë kohës.
Planet për të ardhmen: Tani jam shumë mirë dhe po udhëtoj e po mundohem të argëtohem sa më shumë, por jam i preokupuar për të gjetur diçka me çfarë të merrem. Do të preferoja të mbetesha brenda futbollit.
Kujtimet me Ronaldon: Te Interi kam pasur shok skuadre një nga lojtarët më të mirë në botë, Ronaldon. Cuper kishte vendosur si rregull që çdo të martë të peshoheshim, por Ronaldo e urrente të hipte në peshore dhe thuajse gjithmonë kjo situatë shkaktonte incidente. Megjithatë duhet theksuar se braziliani nuk u peshua asnjëherë, pavarësisht këmbënguljes së stafit teknik.



