Anët negative të merkatos së Skënderbeut, 8 të huaj për 4 vende në formacion!
Nuk janë më kampionët e viteve të fundit, skuadra që dominon kampionatin dhe frikëson 135do kundërshtar. Megjithatë Skënderbeu mbetet një rival i vështirë, fizionomia nuk ka ndryshuar si në lojë ashtu edhe në organizim. Drejtuesit janë të kudjesshëm me lëvizjet në merkato dhe këtë e kanë treguar edhe në një moment të vështirë si ky që po kalojnë. Lufta me UEFA-n ku pritet vendimi përfundimtar i CAS-it për të ardhmen në Europë, ka ulur entuziazmin në Korçë por jo përqendrimin për të dhënë maksimumin. Muaji janar dhe në veçanti merkato e dimrit ka treguar që skuadra është ndërtuar me kujdes gjatë verës dhe vetëm dëmtimet e shumta kanë bërë që klubi të kthejë vëmendjen nga afrimet. I vetmi i larguar është Realdo Fili, që kërkoi më shumë minuta në dispozicion duke zgjedhur që aventurën e tij ta vijojë në gjirokastër me Luftëtarin. Dejvi Bregu, Beneyam Demte, Bruno Lulaj dhe Blerim Krasniqi janë mungesat për arsye dëmtimesh. Në një situatë të tillë drejtuesit e klubit vendosën të përforcojnë skuadrën duke afruar Elmir Asanin, Shqiprim Taipin dhe Idriz Toskiç, për t’i shtuar më shumë alternativa trajnerit Orges Shehi. Çdo e mirë e ka një të keqe pasi dy nga tre afrimet e janarit konsiderohen si të huaj duke shtuar numrin e tyre. Marko Radas, Samba Kabou, Arnaud Guedj, Saliou Guindo, Oto John dhe Demte janë të huajt e mëparshëm ndërkohë që në fushën e lojës lejohen vetëm 4 të tillë. Sigurisht që ky është një problem për trajnerin durrsak i cili duhet të gjejë zgjidhjen në një situatë të tillë, duke hequr dorë nga ndonjë lojtar cilësor për të plotësuar nevojat që sjellin mungesat e dëmtimeve.



