Sokol Cikalleshit i hiqet goli që i shënoi Besiktasit
Sokol Cikalleshi e nisi me gol aventurën e tij të dytë te Akhisari, pasi largimit nga Goztepe, ku ishte huazuar nga Osmanlispori. Sulmuesi kavajas shënoi në humbjen 3-1 ndaj Besiktasit në kampionati, por finalizimi i tij është shfuqizuar nga Federata Turke e Futbollit. Arsyeja? Një nxitim i drejtuesve të Akhisarit, që kishin përfshirë në protokollin e ndeshjes një futbollist të huaj më shumë nga ç’e parashikon rregullorja. Edhe pse Besiktasi nuk e denoncoi këtë parregullsi, aq më tepër që e kishte siguruar fitoren në fushën e blertë, nuk kanë toleruar institucionet juridike të federatës, që ia dhanë suksesin 3-0 në tavolinë ekipit nga Stambolli.
Pavarësisht se fitorja në tavolinë nuk ndikon në renditjen e skuadrave, për Cikalleshin goli kishte vlerë statistikore. Gjithsesi, ai finalizim, edhe pse i anuluar, ka qenë një sinjal i qartë për ata që besuan tek ai, por edhe për trajnerin Cristian Panucci, që duhet të zgjedhë sulmuesit më të mirë për eliminatoret e Europianit, që nisin në mars.



