Flamurtari, trajneri Daja dhe sistemi nervor
Nuk duhet të kesh mbaruar studimet në “Oxford” apo “Harvard” për të kuptuar fjalët e trajnerit të Flamurtarit Ilir Daja. Lojtarët zbresin në fushë, vrapojnë, luftojnë por në fund gjithçka kontrollohet nga sistemi nervor që lidhet drejtpërdrejt me gjendjen emocionale.
Trajneri mund të provojë skema të ndryshme, të ideojë një lëvizje fituese, por kur lojtarët, jo për fajin e tyre, e kanë të vështirë të përqendrohen në fushë atëherë asgjë nuk ka vlerë.
Situata financiare duket në prag kolapsi, pagat mungojnë prej muajsh dhe të vetmet të ardhura që u kanë parë sytë futbollistëve janë ato të përqindjes kontraktuale në startin e kampionatit. Kundër Tiranës kuqezinjtë nuk është se nuk u munduan t’i merrnin maksimumin, madje patën edhe raste për të realizuar, por dallohej qartë që diçka nuk funksiononte dhe kjo nuk lidhej me aspektin teknik.
Pikët e dy fazave të para i garantojnë deri diku një distancë sigurie Flamurtarit, por është një pikëpyetje e madhe e ardhmja e skuadrës, kampionati rinis të dielën për vlonjatet dhe në këtë mënyrë vështirë që futbollistët të gjejnë brenda vetes forcën për të reaguar. Motivimi në sport është arma më e madhe aq sa në jo pak raste tejkalon edhe talentin.



