Skënderbeu-Partizani/ Publikohen formacionet, surprizon Gega
Në orën 17:00 do të startojë edhe ndeshja e parë e fazës së tretë të Kategorisë Superiore, supersfida Skënderbeu-Partizani, e cila do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport 3.
Gazetarët e Supersport nga qyteti i Korçës raportojnë se punëtorët e fushës janë kujdesur që të pastrojnë terrenin e stadiumit nga dëbora, që edhe në këto momente vijon të bjerë në Korçë.
Trajnerët respektivë kanë grupin e plotë në dispozicion, ndërsa kanë publikuar edhe formacionet me të cilët kanë zgjedhur të përballojnë këtë supersfidë.
Kështu Shehi nuk ka surprizuar aspak, duke zgjedhur lojtarët më në formë të momentit, ndërsa në sulm ka zgjedhur sërish Otto John, duke lënë në stol Krasniqin e sapo kthyer nga dëmtimi.
Sa i përket Partizanit, ka një dyshim të vogël për gjendjen fizike të Alban Hoxhës, ndaj trajneri Gega ka nxjerrë në nxehje të dy portierët, për të zgjedhur njërin para sfidës.
Tekniku i të kuqve ka surprizuar duke lënë në stol Hilën dhe duke shtyrë në mesfushë Sadiq Atandën, ndërsa nga minuta e parë luajnë edhe Lum Rexhepi dhe Lucas Cardoso.
Skënderbeu: Teqja; Radas, Sambu, Vangjeli, Abazaj; Guedj, Dita, Muzaka; Hoxha, Gripshi, Otto John.
Partizani: Hoxha; Trashi, Rexhepi, Belica, Ibrahimi; Atanda, Telushi; Mala, Cardoso, Asani; Bardhi.



