Allegri: Caseresin e ktheva unë, Pogba nuk vjen
Massimiliano Allegri ripërqafon Caceres, zbeh alternativën “Pogba” dhe rezervon disa këshilla për Kean. Tekniku i bardhezinjve të Juventusit në vigjilje të sfidës ndaj Lazios në “Olimpico” u shpreh shumë i kënaqur me përforcimin e fundit të mbrojtjes në organikën e tij, duke pohuar se ka patur një rol vendimtar në afrimin e mbrojtësit uruguaian Caseres, njëherazi duke zbehur edhe zërat e një afrimi hipotetik të mesfushorit francez Pogba te “Zonja e Vjetër”, transferimin e të cilit nga “Dajtë e Kuq” e sheh si shumë të vështirë.
“Caseres është një lojtar shërbimet e të cilit i kërkova me ngulm. E njeh shumë mirë ambientin tonë, është i besueshëm dhe vjen si përforcim i një reparti të konsoliduar. Kur u largua nga Juventusi u shpreha se vlente sa Barzagli, Bonucci dhe Chiellini, ndaj me afrimin e Martin Caseres merkatoja jonë dimërore mund të quhet e mbyllur. Ndërkohë Benatia kërkoi largimin, bëri një zgjedhje personale ndryshe nga pritshmëritë tona, por klubi, gjithsesi, iu përgjigj pozitivisht. Bashkë kemi kaluar sezone të rëndësishme ndaj më vjen keq për zgjedhjen e tij, por nuk mund ta ndikoja. Nëse më pyesni për ndonjë transferim të Paul Pogbasë e shoh shumë të vështirë një rikthim të tij në Torino. Nga ana tjetër, Kean duhet të mësojë akoma shumë dhe mendoj se është me fat që ndodhet në një skuadër si Juventusi. Nëse do të vendoste të largohej, ndoshta do të siguronte disa minuta më shumë në fushën e blertë, por do të humbiste rritjen e tij. Kean ka kualitet ndaj do ta këshilloja të qëndronte.”
Lidhur me të dëmtuarit, trajneri Allegri shpjegon se për sfidën me Lazion do të ketë në dispozicion 15 lojtarë, ndaj nuk e sheh veten nën presion.
“Mandzukic rikthehet të shtunën e ardhshme për sfidën ndaj Parmës, ndoshta edhe Khedira, ndërsa Pjanic do të nisë të stërvitet me skuadrën që të hënën e ardhshme. Kthehet Cancelo dhe i vetmi dyshim mbetet për mesfushën. Na pret një sfidë e komplikuar, pasi Lazio do të tentojë që për herë të parë të mundë një prej të mëdhave të Serisë A dhe urojmë shumë që kjo të mos ndodhë me ne, është një rival shumë fizik dhe me teknikë. Gjithsesi, për titullin e kampionatit duhen ende shumë ndeshje, ndaj ne duhet të vijojmë të ruajmë vazhdimësinë.”
Më pas, tekniku i kthehet edhe Daniele Ruganit durimi dhe qetësia e të cilit sipas Allegrit po shpërblehet, një mesazh ky për të rinjtë që aspirojnë të kenë menjëherë projektorët nen këmbët e tyre.
“Rugani do të ketë tashmë mundësine të luajë shumë ndeshje dhe të tregojë se sa është rritur profesionalisht këto katër vjet. Diti të priste dhe tashmë është gati për përgjegjësinë e re që do t’i ngarkohet. Është një shembull pozitiv.”



