Skënderbeu, dëmtimet e shndërruan skuadër normale
Që nuk do të ishte Skënderbeu i viteve të fundit kjo u duk në momentin e formatimit të skuadrës. Lufta me UEFA-n në CAS-in e Lozanës kanë bërë që drejtuesit të ndryshojnë kurs. Në skuadër kanë qëndruar vetëm titullarët e repartit difensiv, ndërsa sulmi është ribërë nga e para. Shifrat flasin për një skuadër të ekuilibruar prapa, më një sulm që shënon duke regjistruar 20 gola në 19 javë, ndërkohë që mbrojtja ka pësuar 14 gola. Megjithatë, Skënderbeu tashmë është kthyer në një skuadër normale dhe kjo për shkak të dëmtimeve të shumta. Mungesat e Demtes dhe Bregut kanë ulur ndjeshëm cilësinë e kampionëve në fazën e sulmit, çka është pranuar edhe nga trajneri Orges Shehi.
“Në sulm nuk kemi cilësinë që kemi në mbrojtje…”
Me kaq shumë dëmtime është normale që Skënderbeu të regjistrojë këto rezultate, për më tepër që kampionët nuk kanë patur mundësinë e alternativave edhe gjatë pjesës së parë të edicionit. Blerim Krasniqi dhe Otto John vijnë nga një periudhë dëmtimi dhe deri në momentin që grupi të rikthehet ai i fillim sezonit Skënderbeu vështirë se mund të frikësojë rivalët.



