Kupa e Italisë

Atalanta “vret me 3 plumba”, ëndrrën e Juves për tripletë

Juventusi ka pësuar një humbje të thellë me rezultatin 3-0 përballë Atalantës në Kupën e Italisë dhe është detyruar t’i japë lamtumirën këtij kompeticioni që në fazën çerekfinale.

Bardhezinjtë e Allegrit nuk ishin në lartësinë e duhur për t’u përballur me Atalantën, që po kalon një moment të shkëlqyer dhe këtë e demonstroi qartësisht edhe në sfidën e mbrëmjes së sotme.

Castagne zhbllokoi sfidën për Atalantën në minutën e 37’, pas një gabimi të Cancelos, ndërsa dy minuta më vonë ishte Zapata që dyfishoi shifrat dhe njëkohësisht provokoi nervozizmin e Allegrit, që u përjashtua nga gjyqtari kryesor.

Juventusi tentoi të përmbysë gjithçka në pjesën e dytë, duke hedhur në fushë edhe emra si Pjaniç e Douglas Costa, por pa ia dalë të dërgojë topin në rrjetën e Etrit Berishës.

Ishte pikërisht portieri kuqezi, që në disa raste u bë protagonist me ndërhyrjen e tij, duke ofruar siguri për shokët e skuadrës, ndërsa mbrojtësi Berat Gjimshiti, edhe ky i aktivizuar titullar, “mbajti në karantinë” Cristiano Ronaldon.

Në minutën e 86’, ishte sërish sulmuesi kolumbian Duvan Zapata, që shënoi edhe golin e tretë, duke mbyllur ndeshjen dhe kualifikuar Atalantën për në fazën gjysmëfinale, ku do të gjejë përballë Fiorentinën.

Në kampionat bardhezinjtë janë në rrugën e duhur drejt titullit të radhës, ndërsa edhe në Ligën e Kampionëve do të luajnë shanset e tyre, por eliminimi nga Kupa e Italisë “vret” edhe këtë sezon ëndrrën e tifozëve të Juves, për të fituar tripletën e titujve.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency