Luiz Suarez, “i uritur”: Duam të fitojmë gjithçka, rinovimi me Barçën…
Fitorja bindëse ndaj Sevillas në Kupën e Mbretit ka shtuar besimin në organikën e Valverdes se mund të arrijnë këtë edicion fitoren e trefishtë. Një artikulim i tillë vjen nga sulmuesi uruguaian, Luis Suarez, që deklaron se e gjithë organika e katalanëve beson fort se mund ta realizojnë me sukses objektivin për të ngritur lart trofetë e La Ligës, Kupës dhe Championsit. Edhe pse ka festuar 32-vjetorin e lindjes, forma fizike e Luis Suarezit është për t’u admiruar, me statistikat që flasin për 15 gola në kampionat dhe 1 në Kupë.
“Fitorja 6-1 ndaj Sevillas shton besimin në dhomat e zhveshjes se jemi në rrugën e duhur për të arritur te trofetë në të gjitha kompeticionet ku impenjohemi. Edhe pse duelet e Championsit prashikohen më të vështira, sërish ne jemi optimistë për pikësynimet tona.”
Më pas sulmuesi “blaugrana” pohon me bindje se Barcelona është ekipi më i mirë në botë ndaj dhe përgjegjësitë kur qëndron në nivele të tilla janë më të mëdha.
“Kjo skuadër ka mentalitet fituesi, të cilin e konkretizon në fushën e blertë. Marshi me të cilin po ecim në kampionat është shumë pozitiv, referuar Kupës kemi përpara gjysmëfinalet, por për të triumfuar duhen mundur të gjithë rivalët, ndaj, nëse do të përballemi me Realin që tani apo në finale, sidoqoftë do të bëjmë maksimumin për ta mundur. Në Champions do të tentojmë të kapërcejmë çdo vështirësi që do na dalë përpara.
Sa i takon vazhdimësisë së tij në “Camp Nou”, Suarez shprehet:
“Nëse do të ishte për mua do të qëndroja gjithnjë këtu, por të ardhmes nuk i dihet, pasi mund të vijë një moment që drejtuesit ta mendojnë të drejtë të mos rinovojmë më. Gjithsesi, sikundër e thashë, unë jam i lumtur në këtë skuadër, në këtë qytet, ndaj dëshira ime është të qëndroj sa më gjatë.”



