Gega: Nuk luajtëm mirë në sulm, më kënaq gjithsesi fitorja
Skënder Gega e pranoi se Partizani ndoshta nuk shkëlqeu në fushë ndaj Kamzës, por rëndësi kanë tri pikët. Ai ka kritika për mënyrën sesi luajtën të kuqtë në fazën sulmuese.
Ndryshimi në pjesën e dytë: Kam gjithë javën që i them, pas ndeshjes me Korçën, me performancë të mirë, dihet se nëse nuk i vlerëson të gjitha njësoj, nuk është mirë. Kam më shumë eksperiencë se lojtarët. Patëm probleme, por në pjesën e dytë nuk patëm rrugë tjetër, të rrisim ritmin dhe shënuam. Telushi është me antibiotik, nuk është në gjendje optimale. Mungesa e Trashit po ashtu ndikoi.
Sulmi: Nuk luajtëm shpejt në pjesën e parë, nuk mund të them se nuk është i duhuri. Hebaj e njeh mirë zonën, por nuk është aq i shpejtë. Kur nuk po arrinim objektivin gol, dolëm te loja që jemi mësuar. Por, nuk do të thotë se për Hebajn përfundon gjithçka sot.
1 gol për ndeshje: E vërtetë që nuk po i zgjidhim lehtë dhe shpejt ndeshjet. Është luks që me Kamzën dhe ekipe të tjera, ta mbyllësh që në pjesën e parë. Jam i kënaqur me atë që po bën ekipi. Rëndësi ka që Mala, Bardhi, Mensah, të gjithë të përmirësohem. Edhe kur kemi pasur raste të vështira, i kemi zgjidhur me lojtarë që nuk janë tipik për gola. Nuk më pëlqeu loja në sulm sot. Edhe ndryshimet, nuk është se adoptohen të gjithë shpejt. Gjithsesi, jam i kënaqur për 3 pikët.
Ndërrimi i Telushit dhe forma e Bardhit: Ka një ftohje dhe nuk ka gjendjen optimale. Do ta ndërroja që në pjesën e parë, por kërkoi të luante dhe pak. Dy mesfushorët, dhe sulmuesit e krahut, duhet ta ndihmonin më tepër. Kemi shumë punë për të bërë, ndeshjet do vështirësohen. Bardhi është një natyrë që jep deri në pikën e fundit. Sot u konsumua pak në pjesën e dytë, duke mbuluar edhe mesfushën. Do të mësojë, është i ri. Doli sepse edhe Cardozo dhe Mensah të tregojnë diçka. Asgjë nuk është perfekte, rëndësi ka të mendojmë për ndeshjen tjetër.
Rreziku nga kartonët: Trashi e mori kartonin e kuq në të qindtat e sekondës. 7 minuta shtesë në Korçë na e shtuan presionin dhe Trashi është person që e ndien fanellën. Ai po rritet dhe kur rritesh njerëzit gabojnë. Rastin e Asanit nuk e pashë, por kolegët më thanë se ishte e panevojshme. E kuqja mund të ishte e drejtë për të dy. Nga 18 veta që kemi, edhe një të dalë, na dëmton. Janë gjëra që nga jashtë nuk i kemi në dorë.



