E diel barazimesh, Fiorentina vetëm një pikë në Udine
Fiorentina ngec në barazim 1-1 në transfertë kundër Udineses. Nëse në mesjavë klubi vjollcë arriti një fitore të thellë përballë Romës në Kupën e Italisë, e kundërta ndodhi në kampionat. Një pjesë e parë tepër e kujdesshme nga të dy ekipet, madje pati shumë pak iniciativë për të gjetur golin.
Në pjesën e dytë situata mori tjetër rrjedhë. Në të 56-ën, Larsen u dha epërsinë të tijve dhe ishte pikërisht ky episod që zgjoi nga gjumi Fiorentinën. Në të 65-ën Fernandes, me një gjuajtje potente nga jashtë zonës riktheu ekuilibrat. Në minutat në vijim, pavarësisht përpjekjeve, nuk u arrit të finalizohej. Me sa duket Fiorentina i shpenzoi të gjithë golat e saj në ndeshjen e mesjavës kundër Romës.
Barazim 1-1 edhe në ndeshjen tjetër Genoa-Sassuolo. Fatet e këtij takimi u vendosën që në pjesën e parë. Ishin miqtë ata të cilët kaluan shumë shpejt në avantazh në minutën e 20-të me anë të Djuricic. Genoa rriti presingun dhe vetëm 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt në pjesën e parë barazoi me Sanabrian. Në pjesën e dytë sfida pati ritëm, por rezultati nuk ndryshoi.
Nuk pati fitues në takimin SPAL-Torino, me skuadrat që u ndanë në barazim pa gola. Një sfidë ku pati momente nervozizmi dhe kartonë të shumtë, ndërsa Torino e mbylli sfidën me 10 lojtarë, pasi në të 65-ën N’Koulou u ndëshkua me karton të kuq, episod ky që nuk u shfrytëzua nga vendasit.



