Premier League

West Ham-Liverpool, The Reds për t’iu përgjigjur dyshes City-Tottenham!

Historikisht muaji janar ka qenë një muaj tepër problematik për skuadrat e drejtuara nga trajneri Jurgen Klopp, megjithatë të kuqtë tashmë e kanë lënë pas periudhën më të vështirë e njëherësh edhe fazën më të ngjeshur të këtij sezoni. Pavarësisht vuajtjeve apo qoftë edhe humbjes në përballjen direkte me City-n e Guardiolës në takimin e parë të vitit 2019 Liverpuli nga 4 e thelloi në 5 pikë diferencën me kampionët në fuqi, kështuqë ekipi i drejtuar nga 51-vjecari gjerman tani ka një rast të shkëlqyer për të kthyer titullin në Merseyside për herë të parë pas plot 29 vjetësh. Premiershipi është shumë më përpara krahasuar me kampionatet e tjerë dhe privilegjin për të mbyllur javën e 25 në Angli e ka pikërisht Liverpuli, që viziton në kryeqytet West Ham United. Në mesjavë trajneri Rafa Benitez i bëri dhuratën më të mirë të mundshme ish-skuadrës së tij, teksa i mposhti “Citizens” brenda në St. James’ Park, por sidoqoftë Liverpuli në krahun tjetër shpërdoroi një mundësi të artë për t’u shkëputur përsëri në +7, teksa u bllokua në Anfield nga “dhelprat” e Leicester City-t.

West Ham United pozicionohet në mes të tabelës së klasifikimit dhe Manuel Pellegrini do të ketë vërtet shumë vështirësi për të rreshtuar në fushë 11 lojtarë, në gjendje për të kundështuar në lojë favoritët për titullin. Trajnerit kilian i janë dëmtuar shumë futbollistë, prandaj me shumë gjasa Pellegrini është i dënuar për t’i dhënë celësat e sulmit pikërisht ish-sulmuesit të Liverpulit Andy Carroll. Ekipi londinez paraqitet pas tre humbjeve radhazi jashtë fushe, ku spikat eliminimi nga FA Cup, nga një kundërshtar si Ëimbledoni, që luan në League One. Në krahun tjetër me barazimin në Anfiled Liverpuli u ndal më në fund nga një klub jashtë “gjashtëshes së parë”, për më tepër edhe forca shënuese e ekipit ka rënë disi. I vetmi rast kur të kuqtë kanë shënuar më shumë se një gol në pesë ndeshjet e fundit është regjistruar ndaj skuadrës tjetër londineze Crystal Palace, sidoqoftë Jurgen Klopp tani duket shumë më i qetë, natyrisht për shkak të kalendarit si dhe kthimit në stërvitje të atyre lojtarëve që mungonin për shkak dëmtimi. Sic dihet klubi nga Merseyside është eliminuar si nga Kupa e Ligës ashtu edhe nga Kupa e Anglisë, për më tepër në pjesën e mbetur në Premiership nga sfidat me skuadrat e ashtuquajtura “big six” tashmë Liverpulit i ka mbetur vetëm Manchester United jashtë fushe, ndërsa përballjet me dy ekipet e Londrës Chelsea dhe Tottenham skuadra e Jurgen Klopp do t’i luajë në Merseyside. Takimi do të luhet në orën 21:00 në stadiumin Olimpik në Stratford, ku Liverpuli ka fituar dy përballjet e fundit ndaj “cekanëve” duke shënuar nga katër gola, sidoqoftë “the reds” përfaqësojnë forcën e dytë në Premier League, përsa i përket ndeshjeve jashtë fushe, pa harruar gjithashtu edhe një detaj tepër interesant që të kuqtë nuk njohin ende humbje në kampionatin anglez dhe Liverpuli mund të bëhet gjithashtu edhe i pari klub që mund të fitojë titullin në Premier League pa asnjë disfatë, që nga koha e Arsenalit të drejtuar nga Arsene Wenger, në sezonin 2003-2004, që në fund fitoi trofeun me 26 fitore dhe 12 barazime gjithsej.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency