Tom Brady në histori, New England Patriots triumfojnë në Super Bowl!
Pak emocione dhe vetëm një touchdoën, por në fund fitojnë gjithmonë ata, New England Patriots. Në edicionin numër 53 të Super Bowl të zhvilluar në Mercedes-Benz Stadium të Atlantas New England Patriots mposhti me rezultatin 13-3 Los Angeles Rams duke siguruar titullin e saj të 6-të në futbollin amerikan. Ishte një ndeshje deri diku e mërzitshme dhe poshtë pritshmërive për një finale Super Bowl që u ndoq nga miliona njerëz në të gjithë botën. Në një takim që dominuan mbrojtjet në fund ai që festoi ishte i pëhershmi Tom Brady i cili ashtu si edhe New England Patriots arriti triumfin e tij të 6-të në karrierë duke gdhendur gjithnjë e më shumë me gërma të arta, emrin e tij në historinë e këtij sporti. Fantastike paraqitja e Julian Edelman i cili u zgjodh MVP-ja i finales ndërsa zhgënjeu Jared Goff i cili humbi duelin e dy gjeneratave të ndryshme midis quarterback-eve.



