Kategoria Superiore

Devolli-Ahmataj, trajnerët e rinj që dinë të kthejnë shpresën

Në një vit të ri që nis me pritshmëritë e “yjeve” të merkatos, surprizat e vërteta të realitetit të kampionatit janë ata: Bledar Devolli dhe Julian Ahmataj. Trajnerët e rinj, të gatshëm të marrin në dorë edhe situatat më të pashpresa, të gatshëm të sakrifikohen për të ndërtuar emrin dhe një karrierë që me siguri në të ardhmen do t’i shohë shumë lart.

Kastrioti në mendjen e të gjithëve ishte skuadra e rënë, Bledar Devolli pranoi të shkonte atje dhe shumëkush ka menduar me keqardhje: çfarë do të bëjë në një skuadër që ka larguar plot 12 lojtarë?

Një javë më parë Gentian Mezani deklaronte se ky Luftëtar është i rënë nga kategoria, ndoshta edhe mund të ndodhë kështu, ku i duhet, por Julian Ahmataj pranoi të shkonte atje, në Gjirokastër, mes krizës financiare dhe eksodit të “yjeve”. Në debutim ka mposhtur 2-0 Laçin në fushën e tij.

Julian Ahmataj dhe Bledar Devolli janë dy prej mesfushorëve emblematikë të kampionatit shqiptar në vitet 2000-2010, shokë skuadre te Flamurtari i sezonit 2010-2011, tek ai që në Vlorë ende e konsiderojnë kampionin moral të një edicioni të nxehtë.

Ndoshta jeta në mesin e fushës, aty ku duhet të vraposh gjithmonë për t’i dhënë pasin atij që bën golin, pa marrë për vete lëvdatat. Të vrapuarit duke sakrifikuar për të mirën e skuadrës ka ndikuar edhe në karakterin e tyre. Janë trajnerët klasikë që e nisin nga nivelet më të ulëta, Kategori e Parë, Bylis, Besa, Korabi, Burreli apo Tomori, skuadra nga ku duhet nisur mes një mijë e një vështirësish, për të ardhur në Superiore, aty ku s’mund t’i thuash jo askujt, qoftë një Kastrioti që duket me një këmbë në të parën, apo një Luftëtari në shpërbërje.

E dinë që nuk kanë luksin për të zgjedhur klubet, sot janë klubet që zgjedhin ata. 6 pikë në dy ndeshje për Kastriotin, me 7 gola të shënuar në 180 minuta, është skuadra e momentit, ndërsa Luftëtari bëri surprizën e madhe të fundjavës, duke përmbysur vështirësitë tradicionale të një fushe si Laçi.

Bledar Devolli dhe Julian Ahmataj janë trajnerët që ditën të kthenin shpresën edhe aty ku pothuajse ishte venitur, ndoshta ia dalin e ndoshta jo, por pa diskutim që meritojnë respektin e publikut dhe vlerësimin e presidentëve. Nesër, falë edhe këtyre eksperiencave, nuk do të jenë të detyruar të shkojnë kudo që i thërrasin, klubet do t’i zgjedhin vetë ata.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency