Viti i ri “zjarr” për Kastriotin, mbijetesa më shumë se një ëndërr
Viti 2019 ka nisur në mënyrë “të zjarrtë” për Kastriotin, pasi skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli ka thyer të gjitha parashikimet. Një ekip i riformatuar nga e para me shumë largime dhe po aq afrime, pavarësisht se boshti ka qëndruar. Krutanët kanë treguar edhe më parë lojëra të bukura, por ato që mungonin ishin pikët, diçka që erdhi si me magji nën drejtimin e trajnerit gjirokastrit.
Në dy ndeshjet e para Kastrioti jo vetëm që ka marrë pikët e plota, çka mungonte prej shtatorit të vitit 2013, por mbi të gjitha ka bindur në sulm aty ku deficitet kanë qenë të mëdha në dy fazat e para. Në 18 javë ekipi kishte shënuar 11 gola, ndërkohë që në dy sfidat e para të këtij viti krutanët kanë arritur të realizojnë plot 7 herë. Shifra të frikshme po të kujtosh që golat janë realizuar ndaj ekipeve të forta si Luftëtari dhe Skënderbeu, respektivisht në transfertë dhe në shtëpi.
Pikërisht këto statistika e nxorën Kastriotin nga vendi i fundit të klasifikimit duke ndryshuar vend me Kamzën, edhe pse rruga drejt mbijetesës është ende e gjatë dhe e vështirë. Luftëtari është vetëm 4 pikë larg ndërkohë që kalendari me ta i favorizon pasi i presin në shtëpi në fazën e katërt. Mund të duket një paradoks por Kastrioti ka në gjirin e vet një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit, brazilianin Roger Junior.
Autor i 7 golave, lojtari i huazuar nga Kukësi është në garë për “Këpucën e Artë”, duke qenë pas kryesuesit Amadou Latif dhe në kuotë të njëjtë me Hasanin, Bregun, Reginaldon dhe Shkurtajn. Kjo është një pikënisje për Kastriotin, që duhet të ruajë këtë ritëm edhe pse kundërshtarët tashmë mund ta marrin më seriozisht në përballjet direkte.



