Allegri: Dybala ka kërkuar falje, nuk komentoj jetën private të Douglas Costës
Massimiliano Allegri doli sot në konferencën për shtyp në prag të transfertës ndaj Sassuolos, që do të zhvillohet nesër, teksa u ndal edhe te situata me Paulo Dybalën, për të cilin po flitet se është duke luajtur sezonin e fundit me Juventusin.
“Me Dybalën jemi sqaruar për situatën pas ndeshjes me Parmën, pasi ai kuptoi gabimin dhe u kërkoi falje të gjithëve. Klubi beson shumë te Dybala dhe i ka dhënë numrin 10, por edhe shiritin kur në fushë nuk është Chiellini. Sa u përket shifrave të golave të shënuar, mund të them se Paulo luan në të njëjtin pozicion si vitin e kaluar dhe ka ndryshuar vetëm partneri i sulmit, pasi tani luan përkrah Ronaldos, që ka karakteristika të ndryshme nga Higuain”, tha Allegri.
Tekniku bardhezi foli edhe për situatën e sulmuesit brazilian Douglas Costa, i cili u përfshi në një aksident automobilistik gjatë javës, por vetëm pak orë më vonë udhëtoi drejt Parisit, për t’u bashkuar me Neymar në festën e tij të ditëlindjes.
“Douglas Costa nuk po kalon një periudhë të mirë këtë sezon, pasi fillimisht u pezullua në sfidën përballë Sassuolos, më pas u dëmtua ndaj Valencias dhe tani ka një gjysmë dëmtimi tjetër. Megjithatë mua më intereson sjellja e tij në stërvitje dhe në ndeshje, pasi për të tjerat e mirëkuptoj, sepse kemi të bëjmë me një djalë të ri”, tha trajneri Allegri.



