Krasniqi, një rifillim i mbarë për sulmuesin e Skënderbeut!
Në startin e edicionit u konsiderua si një zbulim i Skënderbeut, por me kalimin e javëve Blerim Krasniqi humbi shkëlqimin ashtu si dhe e gjithë skuadra. Padiskutim që në gjendjen e sulmuesit kanë ndikuar edhe dëmtimet e shumta, jo vetëm të tij por edhe të shokëve të skuadrës, duke bërë që korçarët të humbasin terren në klasifikim. Drejtuesit morën vendimin për të ndryshuar organikën, ndërkohë që Orges Shehi vendosi për të ndryshuar diçka në formacion në përballjen me Laçin. Megjithatë shërimi i kampionëve erdhi nga numri 9, pasi Krasniqi shënoi një gol dhe fitoi penalltinë e golit të dytë, duke qënë protagonisti absolut i sfidës. Madje java e kaluar mund të konsiderohet si momenti më i mirë për të, pasi përveç protagonizmit në sfidën ndaj kurbinasve shënoi në Kupë në sfidën e kthimit ndaj Besëlidhjes 4 ditë më parë. Shifrat e deritanishme të sezonit nuk flasin në favor të 22-vjeçarit, pasi në 17 ndeshje ka realizuar vetëm 2 gola, një numër shumë i ulët për një qendërsulmues. Por në lojën e skuadrës Krasniqi ka qënë shumë i rëndësishëm me punën e bërë në repartin e avancuar, edhe pse golat janë matësi më i mirë për punën e tij. Megjithatë dy prezantimet e fundit në fushë janë sinjali i një rilindjeje për Blerim Krasniqin që duhet të marë më shumë përsipër tek korçarët. Padyshim që tashmë janë harruar plotësisht Ali Sowe dhe James Adeniyi, duke i hequr nga supet presionin e fillim sezonit, për ta lënë të qetë të gjejë rrugën e tij në një kampionat shumë të egër.



