NBA/“bien” Warriors, Harden s’mjafton, Antetokounmpo monumental
U zhvilluan plot 11 ndeshje në NBA, në natën e parafundit para pauzës që i paraprin All Star Game 2019. Surpriza e madhe ishte pa dyshim humbja e Golden State Warriors 129-107 në parketin e Portland Trail Blazers. Sfida u zhvillua në ekuilibër të plotë deri në fillim të periodës së katërt (94-94), por më pas skuadra e drejtuar nga Trerry Stotts bëri diferencën, e udhëhequr nga Damian Lillard me 29 pikë në total. Për Warriors Durant dhe Curry shënuan nga 32 pikë, por që nuk mjaftuan në fund për të marrë fitoren e gjashtë radhazi.
Një përballje me pritshmëri të larta ishte ajo mes Indiana Pacers dhe Milwaukee Bucks, që u mbyll me fitoren 97-106 të kryesuesve të Lindjes. Një Giannis Antetokounmpo monumental, me 33 pikë, 11 asistime dhe 19 topa poshtë koshit bëri diferencën mbi parket, ndërsa për Pacers Bogdanovic ishte realizuesi më i mirë me vetëm 20 pikë.
Toronto Raptors, sikurse parashikohej, fituan 129-120 me Washington Wizards, përballje në të cilën spikati kamerunasi Pascal Siakam me plot 44 pikë, ndërsa nga ana tjetër Bredley Beal nuk mjaftoi me “double-double” e tij, 28 pikë e 11 asistime.
James Harden u ndie i vetëm në parketin e Minnesota Timberwolves, ku 42 pikët e tij nuk u shërbyen Houston Rockets, të cilët u mposhtën 121-111. Për Timberwolves spikati veçanërisht Teague me 27 pikë e 12 asistime.
Gjithçka e lehtë për Los Angeles Clippers, që iu imponuan 134-107 Phoenix Suns, me skuadrën nga Arizona që pësoi humbjen e 15-të radhazi. “Double-double” i Lou Williams (30 pikë e 10 “rebound”), ndërsa italiani Danilo Gallinari shtoi edhe 20 pikë për Clippers.
Për të përcaktuar fituesin mes Cleveland Cavaliers dhe Brooklyn Nets u luajtën plot tri kohë shtesë e në fund njujorkezët triumfuan 139-148, duke zhvlerësuar paraqitjen e jashtëzakonshme të Clarkson, që realizoi 42 pikë për Cavs. Në radhët e Nets-ave më i miri rezultoi Russell me 36 pikë, i ndihmuar edhe nga Harris me 25 pikë.
Rezultatet:
Cleveland Cavaliers – Brooklyn Nets 139-148
Indiana Pacers – Milwaukee Bucks 97-106
New York Knicks – Philadelphia Sixers 111-126
Toronto Raptors – Washington Wizards 129-120
Boston Celtics – Detroit Pistons 118-110
Chicago Bulls – Memphis Grizzlies 122-110
Minnesota Timberwolves – Houston Rockets 121-111
Dallas Mavericks – Miami Heat 101-112
Denver Nuggets – Sacramento Kings 120-118
Portland Trail Blazers – Golden State Warriors 129-107
Los Angeles Clippers – Phoenix Suns 134-107



