Laureus World Sports Awards, triumfojnë Djokovic dhe Simone Biles
Tenisti serb Novak Djokovic, gjimnastja amerikane Simone Biles, legjenda e golfit Tiger Woods dhe përfaqësuesja franceze e futbollit, triumfuese e Botërorit “Rusi 2018”, ishin fituesit e mëdhenj të Laureus World Sports Awards për edicionin e vitit 2019.
Mes të sportistëve të shkëlqyer që u vlerësuan në mbrëmjen gala të Monacos ishin edhe skiatorja amerikane Lindsey Vonn dhe tenistja japoneze Naomi Osaka.
Princi Alberto i Monacos, i shoqëruar nga ish-kampionia e tenisit, Monica Seles, i dhanë çmimin “Sportisti i Vitit” Novak Djokovicit, që mposhti konkurrencën e “yllit” francez të futbollit, Kylian Mbappe, atletes Eliud Kipchoge dhe basketbollistit të NBA, LeBron James. Djokovic triumfoi në Wimbledon dhe Us Open në vitin 2018, pasi iu nënshtrua një operacioni në bërryl. Për Nolen është hera e katërt që e merr këtë çmim, duke barazuar rekordin e Usain Bolt.

Çmimi “Sportistja e Vitit” shkoi për Simone Biles, që fitoi 4 medalje të artë në botërorin e gjimnastikës, çmim të cilin e kishte fituar edhe në vitin 2017. Ajo ka hyrë në histori si femra e parë që ka arritur të fitojë 4 kampionate botëre “all-around”. Është vetëm 21-vjeçe dhe ka fituar 14 tituj botërorë në karrierë (një rekord absolut).
Përfaqësuesja franceze e futbollit, fituese në fuqi e Kupës së Botës, bëhet e para kombëtare që e merr për herë të dytë çmimin “Skuadra së Vitit”, duke lënë pas Mercedesin e Formula 1, Golden State Warriors të NBA dhe Real Madridin.
Naomi Osaka, një “yll” në shkëlqim i tenisit japonez mori çmimin “Zbulimi i Vitit” për suksesin e saj në US Open, ndërsa Tiger Woods, 10 herë kandidat për çmimet Laureus, mori vlerësimin “Kthimi i Vitit”, pasi fitoi Tour Championship (u kthye pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpinë).
Skiatorja Lindsey Vonn, tashmë e tërhequr nga ky sport, u vlerësua me çmimin “Shpirti Çmimeve Sportive”, si sportistja me përkushtimin e palodhshëm në dispilinën e saj.




