Kategoria Superiore

Qaqi beson te Kamza: Ndaj Kukësit, dy arsye për fitore

Harallamb Qaqi ia ka dalë të përshtatet në kohë rekord me skuadrën e tij të re, Kamzën. Qendërmbrojtësi, i cili në merkaton e dimrit u afrua nga ekipi i Kukësit, u shpreh për Supersport se ka besim që edhe pas humbjes me Kastriotin, Kamza mund t’ia dalë të ndryshojë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet.

“Ishte një humbje që nuk e prisnim, por gjithsesi ka ende shumë ndeshje në dispozicion dhe ne nuk dorëzohemi. Shpresoj që edhe me ndryshimin e trajnerit, të ndryshojë edhe motivimi, për të luftuar deri në fund”, tha Qaqi.

Gara për t’i shpëtuar rënies në Kategorinë e Parë është vërtetë e ashpër, por mbrojtësi më i ri i afruat te Kamza këshillon shokët e tij që të përqendrohen vetëm te puna e tyre, pa u marrë me kundërshtarët.

“Gara do të jetë shumë e fortë deri në fund, po ne duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshjet tona dhe puna jonë, pa u interesuar se çfarë bëjnë kundërshtarët. Shpresojmë që në fund t’ia dalim”, tha mbrojtësi.

Këtë fundjavë, Kamza do të përballet me Kukësin, skuadër në të cilën Qaqi luajti deri në fund të muajit janar dhe luftonte për titullin kampion. Futbollisti thekson se e shikon përballjen si një sfidë mes dy skuadrave, por nuk e fsheh dëshirën për të triumfuar përballë verilindorëve.

“Fillimisht kemi të bëjmë me një sfidë mes dy skuadrave, por edhe një sfidë e imja personale, pasi dua të tregoj më të mirën time. Do të doja shumë të fitonim, fillimisht për skuadrën, por edhe për mua personalisht”, deklaroi Harallamb Qaqi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency