Sarri drejt largimit nga Chelsea, pritet rikthimi në Serinë A
Aventura e Maurizio Sarrit në Londër pritet të mos vijojë më tepër se një sezon, pasi te Chelsea të gjithë janë zhgënjyer me teknikun italian, rezultatet e arritura nga ai dhe mënyrën se si po e menaxhon grupin.
Pikërisht për këtë arsye, Roman Abramovich është vënë në lëvizje për të sjellë një tjetër trajner në Londër dhe ish trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane është në krye të listës së preferencave të bosit rus.
Por edhe tekniku italian, nuk pritet të mbetet gjatë pa punë, pasi nga vendi i tij i lindjes ka klube të shumta që e adhurojnë dhe i vlerësojnë punën e mirë, të bërë kur drejtonte Napolin dhe Empolin.
Së fundi mediat italiane raportojnë se kanë qenë drejtuesit e Romës, që i kanë ofruar Sarrit pankinën për sezonin e ardhshëm, nëse tekniku nuk do t’ia dalë të qëndrojë më gjatë në Londër.
Verdhekuqtë kanë humbur besimin e Di Francescos dhe shohin te Sarri teknikun ideal për të punuar me të rinjtë e shumtë që kanë në organikë, ndaj janë gati të ndryshojnë pankinën në verën e ardhshme.



