Cungu: Puna ime nuk rrëzohet nga dy humbje, besojmë ende te titulli
Armando Cungu mori besimin e presidentin Gjici, edhe pas dy humbjeve radhazi të Kukësit, ndërsa nesër ka mundësin për revanss, pasi do të përballet me Kamzën e vendit të fundit, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pasditen e sotme, tekniku shkodran doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku komentoi jo vetëm vendimin e presidentit, por edhe gjendjen e skuadrës, ndërsa konfirmoi se vijon të jetë besimplotë për titullin.
Si është situata te skuadra, në prag të ndeshjes me Kamzën?
Gjendja është e mirë, pavarësisht se na kanë munguar rezultatet. Megjithatë duhet thënë se skuadra është shprehur mirë në fushë dhe në disa nga ndeshjet që kemi humbur, kemi merituar shumë më tepër, por natyrisht që ka pasur edhe raste kur mund të bënim më mirë.
Si e vlerësoni vendimin e Gjicit për t’u konfirmuar në stolin e Kukësit?
Kam qenë dhe jam i qetë. Jam i bindur te puna që kam bërë, jam munduar të bëj maksimumin. Kemi një periudhë negative në rezultate, por jo në lojë. Kemi dominuar kundërshtarët, ndonëse rezultatet nuk kanë qenë ato që prisnim. Në futboll ndodh edhe kështu, jo gjithmonë merr atë që meriton. E kam thënë se ekipi po tenton të rigjejë veten. Ndeshja me Teutën më pëlqeu për ekuilibrat dhe më bën të shpresoj për vazhdimësinë. Nuk ka pasur periudhë të vështirë për mua, dy humbje i ndodhin kujtdo. Kemi bërë kampionat të mirë. Mos të harrojmë se luajmë jashtë, por ka ndeshje të veçanta, ku nuk ka pasur dashamirësi të marrim atë që kemi merituar. Na janë dëmtuar lojtarë për shkak të ndërhyrjeve, Kordiero është dëmtuar në fushë dhe nuk është marrë masë ndaj kundërshtarit.
Si e shikoni vendimin për të spostuar ndeshjen me Kamzën për në “Elbasan Arena”?
Është një vendim i klubit dhe mendoj se është i drejtë. Nuk mund të luajmë në fushën e tyre, edhe pse në letër quhemi pritës. Gjithë kohen jemi udhëtues. Në Elbasan terreni të mundëson të luash. Të jem i sinqertë edhe terreni na ka penalizuar.
Besoni ende te titulli?
Edhe kur kemi qenë 11 pikë pas, nuk jemi dorëzuar. Janë shumë pikë në mes. Me rëndësi është të shohim punën tonë. Kam besim se deri në fund do të jemi për titull. Siç kemi gabuar ne, do gabojnë edhe kundërshtarët. Rëndësi ka çfarë bëjmë ne, jo kundërshtarët. Duhet të ecim përpara dhe të marrim atë që na takojnë. Pjesa tjetër u takon rivalëve, që do të bëjnë kampionatin e tyre.



