Vllaznia “fik qirinjtë” e 100-vjetorit, Presidenti Meta dekoron yjet e sportit shkodran
Shkodra cilësohet si “djepi i futbollit” dhe sportit shqiptar, dhe Vllaznia është krenaria e këtij qyteti, që vetëm pak ditë më parë mbushi 100 vjeç, ndërsa këtë të shtunë fiku dhe qirinjtë e këtij jubileu.
Në një ceremoni të zhvilluar në teatrin “Migjeni”, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e krijimit të klubit më të vjetër në Shqipëri, ishin të pranishëm figura të shumta të sportit shkodran ndër vite, por dhe personalitete të jetës shoqërore dhe politike në vend, mes të cilëve dhe presidenti Ilir Meta, që dekoroi figura të shquara sportistësh të këtij klubi.
Në një ceremoni të organizuar si një mbrëmje gala ku u shfaq dhe një përmbledhje e shkurtër e historisë së klubit kuqeblu, presidenti i vendit akordoi titullin, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, për yllin e futbollit shqiptar dhe atij shkodran në të shkuarën, Sabah Bizi.
Ndërkohë që me titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësuan Ramazan Rragami, Hysen Zmijani, Astrit Hafizi, Fatbardh Jera, Edi Martini, Vioresin Sinani, Mark Kroqi, Gjino Mjeda, Pina Haxhi Vuka, Refik Vorfa, Sokol Karaj, Rrok Bardeli, Arbana Xhani, Asim Belinovi, dhe pas vdekjes, Xhevdet Shaqiri, Agim Tafili dhe Hysni Bebeziqi.



