Refuzoi Sarrin, Kepa ia hedh me pagën e një javë
Blutë e Londrës kanë vendosur të gjobitin portierin Kepa pas reagimit të tij gjatë finales së Kupës së Ligës. Menjëherë pas episodit të shënuar tekniku Sarri u mundua të zbuste tonet, duke e quajtur incidentin thjesht një keqkuptim mes palëve, por reagimi i spanjollit 24-vjeçar në finalen ndaj Mancehster City-t nuk është kapërdirë lehtësisht nga klubi i premier Leagues, që nëpërmjet faqes zyrtare ka njoftuar vendimin e marrë për të gjobitur Kepa Arrizabalaga pas rebelimin e tij në fushën e blertë.
Një gjobë që përkthehet në rrogën e një jave për ish-portierin e Bilbaos. Është vendosur gjithashtu se kjo shumë e konfiskuar nga paga e spanjollit do të shkojë për bamirësi në fondacionin e Chelsea-t. Për t’iu kthyer episodit, vetë lojtari i klubit londinez kërkoi ndjesë, duke u shprehur se edhe pse kishte ndodhur një keqkuptim kërkonte ndjesë pasi mënyra sesi e menaxhoi situatën e krijuar ishte pa dyshim një gabim. “Do të mësoj nga kjo ndodhi dhe do të pranoj pa kundërshti çdo masë disiplinore që do të vendoset ndaj meje,” – kishte deklaruar Kepa.”



