Champions League

FFK fiton të drejtin e organizimit të rrethit paraeliminator

Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë një lajm shumë të mirë nga UEFA. Organi qeverisës i futbollit europian ka vendosur që t’ia besojë FFK-së organizimin e rrethit paraeliminator për Ligën e Kampionëve. Kjo do të jetë hera e parë që një ngjarje e tillë do të organizohet në vendin tonë.

FFK kishte aplikuar me kohë për marrjen e organizimit të ndeshjeve të rrethit paraeliminator dhe në sajë të partneritet shumë të mirë ndërmjet dy institucioneve, por edhe organizimit shumë të mirë që FFK-ja ka bërë në ndeshjet e Kombëtares në Ligën e Kombeve, sot ka ardhur lajmi pozitiv  nga selia e UEFA-s.

Kësisoj, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por edhe ai “Adem Jashari” në Mitrovicë, do të jenë arenat ku kampionia e Kosovës do të mund t’i mirëpresë skuadrat kampione nga San Marino, Andora dhe Gjibraltari.

Kërkesa për organizimin e këtij rrethi nga FFK-ja është bërë me qëllim që t’i lehtësohet puna skuadrës kampione të Kosovës në këtë garë: të ketë më pak shpenzime; ta ketë mundësinë për ta shfrytëzuar përparësinë e terrenit vendas dhe ta gëzojë përkrahjen e madhe të tifozëve në një garë kaq të rëndësishme.

Vitin e kaluar ky rreth paraeliminator u zhvillua në Gjibraltar, ku Drita arriti ta mbyllte me sukses, duke kaluar në rrethin e parë kualifikues, ku më pas u eliminua nga skuadra e njohur suedeze, Malmo.

Ndeshjet e rrethit paraeliminator do të zhvillohen prej 20 deri më 27 qershor, 2019.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency