Ranieri shkarkohet nga Fulham, e pason ish-mesfushori i famshëm i Anglisë!
Claudio Ranieri shkarkohet zyrtarisht nga stoli i Fulham për shkak të rezultateve të dobëta. Humbja e fundit e italianit ishte 2-0 ndaj Southampton, e cila ka lënë The Cottagers 10 pikë larg qëndrimit në Premier League. Ranieri u ul në stolin e skuadrës gjatë nëntorit të kaluar pas shkarkimit të Slavisa Jokanovic. Ai ishte trajneri i skuadrës për 16 ndeshje, duke përfshirë fitoren 3-2 ndaj Southampton në ndeshjen e parë. Ai firmosi një kontratë shumëvjeçare me Fulham kur ekipi ishte në vend të fundit, por nuk arriti të përmbushte pritshmëritë. Deri në emërimin e një trajneri të ri ku në pole-position është Victor Sanchez, skuadra londineze do të drejtohet nga trajneri i përkohshëm Scott Parker, ish mesfushori i famshëm i kombëtares angleze por edhe i klubeve prestigjoze si Chelsea e Tottenham. Për Parker kjo do të jetë eksperienca e parë si trajner dhe shpreson të ndjekë sadopak gjurmët e Ole Gunnar Solskjaer.



