Premier League

Derbi magjik në Wembley, por Tottenham dhe Arsenali ndajnë pikët!

Spektakël, emocione, futboll i shpejtë dhe intesiv për 96 minuta, për një barazim 1-1 në fund mes Tottenham Hotspur dhe Arsenal në derbin e Londrës Veriore. 2 gola, 1 penallti e humbur, një karton i kuq dhe asnjë fitues në mitikun Wembley me gjelat dhe topçinjtë që do të rivalizojnë deri në fund të kampionatit me Manchester United dhe Chelsean për të siguruar kualifikimin në Champions League. Ndeshja nisi më mirë për vendasit por pas një rasti të humbur nga Kane, kundërsulmi i Arsenalit me Ramsey që përfitoi edhe nga gafa Davinson Sanchez duke shmangur edhe portierin Lloris për golin e parë të sfidës. Në fundin e pjesës së parë Brend Leno u bë protagonist duke ndalur fillimisht Eriksen dhe në vazhdimin e aksionit bëri një pritje fantastike ndaj goditjes së Sissoko me topin që shkoi në këndore. Në minutën e 74-t, Kane u shty brenda zone nga Mustafi duke fituar një 11-metërsh edhe pse sulmuesi anglez ishte në pozicion jashtë loje dhe nëse do të kishte VAR edhe në Angli gjithçka do të anulohej.

Nga pika e bardhë e penalltisë Kane realizoi golin e tij të 16-të në kampionat duke barazuar shifrat. Kolumbiani Davinson Sanchez bëri një tjetër gabim në sekondat e fundit të kohës së rregullt duke ledhatuar Aubameyang brenda zone por për gjyqtarin ishte penallti. Gjithsesi nga 11 metra larg sulmuesi nga Gaboni u ndal nga Lloris me Arsenalin që humbi mundësinë e shkëlqyer për të dalë me 3 pikë nga kjo sfidë. Në sekondat e fundit të shtesës Lucas Torreira i hedhur në fushë në pjesën e dytë u ndëshkua me karton të kuq, por kishte mbetur shumë pak kohë që Tottenham të përfitonte nga superioriteti numerik. Me këtë barazim Tottenham ruajti avantazhin prej 4 pikësh ndaj Arsenalit në renditje por tashmë mund të afrohen United dhe Chelsea nëse fitojnë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency