Tirana, po kthehet Oduamadi, nigeriani gati në fazën e katërt
Tirana e këtij vitit është krejt ndryshe nga ajo e 2018-ës, pasi, përveç lojës së mirë, bardheblutë kanë gjetur vazhdimësinë edhe në rezultate, të cilat e kanë rikthyer në zonën e qetë. Trajneri Ardian Mema ka rregulluar repartin e prapavijës, ka rigjetur në sulm Michael Ngoo pas problemeve në startin e aventurës së tij në krye të Tiranës, si dhe ka ditur të rikthejë entuziazmin e tifozërisë bardheblu.
Lajmet e mira vijojnë të vijnë për Tiranën, pasi është rikthyer nga dëmtimi sulmuesi nigerian Oduamadi. 28-vjeçari, i cili u dëmtua në sfidën e 7 tetorit të vitit të shkuar ndaj Laçit në “Selman Stërmasi” ka lënë pas periudhën e parë të rehabilitimit dhe ka zbritur në kompleksin “Skënder Halili”. Oduamadi vijon i veçuar përgatitjet nën vëzhgimin e stafit mjekësor, teksa rikthimi i tij në fushën e lojës parashikohet për fazën e katërt, pas pauzës së kampionatit që vjen për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2020.
Drita po bëhet gjithnjë e më e fortë në tunelin ku ishte futur Tirana, pasi përveç Oduamadit është rikthyer i gatshëm edhe Gentian Muça, ndërkohë që pritet të bashkohet me grupin Junus Sentamu. Këtë fundjavë Tirana duhet të luante me Kastriotin, por, pavarësisht ndalesës së kampionatit, stafi teknik ka vendosur që ekipi të zbresë në fushën e lojës.
Të premten, 24 herë kampionët do të zbresin në fushë ndaj Korabit në një test që ka si qëllim ruajtjen e formës dhe konsolidimin e mëtejshëm të grupit.



