Flamurtari mposhtet nga Bylisi, Kastrioti i tregon forcën Shënkollit
Ashtu sikurse Tirana, edhe Flamurtari me Kastriotin programuan ndeshje miqësore në fundjave, pas pezullimit të kampionatit për shkak të dhunës së ushtruar ndaj Eldorian Hamitit në Kamzë.
Vlonjatët këtë të shtunë përmbyllin ciklin javor me testin ndaj Bylisit, me ballshiotët që fituan me rezultatin 0-2. Flamurtari kishte mungesa të shumta titullarësh, nga portieri Koliçi, veterani Pollozhani e deri te mesfushori Musta, ndaj trajneri Ilir Daja provoi shumë të rinj.
Lamçja dhe Beji Anthony shënuan në pjesën e parë për Bylisin, ndërsa Flamurtari goditi 4 herë shtyllat gjatë ndeshjes, por pa e gjetur golin.
Kastrioti luajti një miqësore kundër Shënkollit, duke fituar lehtësisht 3-0. Edison Ndreca shënoi që në fillim të ndeshjes, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Erlind Koreshi e Taulant Marku, në harkun e 3 minutave.



