Ajaxi fiton me goleadë, Feyenoord ndalet në barazim
Një tjetër fitore për Ajaxin në kampionat, pasi këtë herë “harkëtarët” triumfuan në shifrat 4-0 ndaj Fortuna Sitard. Një ndeshje e kthyer gati në një seancë stërvitore për vendasit, të cilët ishin dukshëm shumë më superiorë sesa kundërshtari. Vetëm 4 minuta rezistoi mbrojtja e Sitard, të cilët u thyen pas golit të Dusan Tadic, ndërsa në të 27-ën, braziliani Neres dyfishoi shifrat për të tijtë.
Asgjë ndryshe në pjesën e dytë ku sërish Ajaxi bën ligjin. Në të 63-tën Neres nga brenda zonës me një të majtë potente realizon golin e tretë për vendasit, ndërsa goli i 4-t erdhi më anë të Tadic. Sukses tepër i rëndësishëm për vendasit të cilët e ruajnë distancën prej 5 pikësh nga PSV Eindhoven i vendit të parë.
Ndalet në barazim 1-1 Feyenoordi, në transfertë përballë Vitesses. Edhe njëherë tjetër klubi nga Roterdami tregoi se në ndeshjet jashtë vuan, pasi kjo ishte transferta e 6 që nuk arrijnë dot të fitojnë.
Pjesa e parë ishte tepër e kujdesshme, teksa miqtë mundën të kalonin në epërsi vetëm në minutën e 45-të me anë të Kokcu. Pjesa e dytë nisi menjëherë me vendasit agresivë, të cilët rikthyen baraspeshën në të 47-ën me Dauda. Pavarësisht përpjekjeve, skuadrat nuk arritën dot të merrnin fitoren duke pranuar nga një pikë.



