E bujshme/ Zidane pranon rikthimin te Reali, sonte pritet zyrtarizimi
Një lajm mjaft i bujshëm vjen nga Spanja, ku sipas mediave vendase, Zinedine Zidane do të rikthehet sot në pankinën e Realit të Madridit, skuadër me të cilën fitoi 3 tituj Champions League radhazi.
Burime pranë klubit madrilen raportojnë se është arritur tashmë marrëveshja mes Perez dhe francezit, me këtë të fundit që më në fund është bindur të rikthehet dhe të marrë në dorë frenat e skuadrës, që brenda një jave “doli nga shinat e objektivave sezonalë”.
Në orën 18:00 është programuar një mbledhje e Këshillit Drejtues të klubit, ku pritet të njoftohet edhe shkarkimi i argjentinasit Santiago Solari, dhe zëvendësimi i tij me teknikun që ka bërë historinë me Realin.
Gjërat duket se kanë marrë një kthesë të fortë këtë pasdite për francezin, pasi mediat italiane raportonin sot paradite se Zidane kishte drekuar me drejtuesit e Juventusi, për të diskutuar mbi mundësinë e uljes në stolin bardhezi, duke filluar nga vera e ardhshme.
Por duket se Florentino Perez ka luajtur të gjitha kartat për të bindur francezin të rikthehet në Madrid, duke hequr dorë nga ideja për të rikthyer Jose Mourinhon, pasi marrëdhëniet e portugezit me 4 prej emrave në skuadër, nuk janë aspak normale.



