Kupa e Shqipërisë

Cungu: Duhet të kishim thelluar avantazhin, por gabuam me tërheqjen

Intervista e trajnerit të Kukësit Armando Cungu, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ndeshjes që verilindorët barazuan 2-2 në transfertën durrsake ndaj Teutës.

Një barazim i hidhur për mënyrën se si erdhi, ndonëse mund të duket i mirë, kur mendon se u mor përballë Teutës…
Nuk është keq si rezultat, pasi luanim ndaj një ekipi mjaft të mirë dhe në transfertë, por jam i zhgënjyer për mënyrën sesi rrodhi loja. Ishim 0-2 dhe mund të kishim thelluar rezultatin, por nuk e kuptova se si skuadra u fut në panik dhe i la fushën kundërshtarit. Si rezultat i kësaj pësuam edhe ato dy gola, që na prishën mundësinë e gëzimit.

Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e sulmuesve?
Janë në formë të mirë dhe më vjen mirë që shënuan të dy, pro më vjen keq që Reginaldo u dëmtua, duke më detyruar të bëj ndërrim. Më pas u munduam të mbyllim më mirë hapësirat, por siç e thashë, humbja ishte psikologjike, pasi skuadra u tërhoq para kohe.

Si shpjegohet që i latë shumë terren Teutës në minutat e fundit?
E theksova edhe më parë, që duhet ta “vrisnim” ndeshjen, por nuk ia dolëm të shënojmë. Megjithatë nuk duhet të tërhiqeshim kurrsesi dhe jam pak i zhgënjyer me këtë sjellje të skuadrës. Duhet të detyronim kundërshtarin të luante vetëm me topa të gjatë, ashtu siç e bëmë për 75 minuta, por ekipi ndryshoi në mënyrë befasuese.

Mendoni se skuadra juaj nuk është e aftë të përballojë presionin? A mund të ndikojë edhe në kampionat, kjo mënyrë se si ju “rrëshqiti” fitorja sot?
Kemi disa lojtarë të rinj, që nuk kanë eksperiencën e duhur, për të përballuar të gjitha llojet e situatave që shfaqen. E thashë edhe më lart, që duhet të mbyllnim ndeshjen, ose të paktën të mos binim pre e presionit të kundërshtarit. Nuk mendoj se kjo do ndikojë në kampionat, pasi kemi një skuadër mjaft të mirë, që do të dijë të reagojë dhe të nxjerrë mësimet e duhura nga sfida e sotme.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency