Balotelli sulmon Mancinin: Në të ardhmen mund ta refuzoj unë Italinë!
Mario Balotelli po luan dhe po shënon rregullisht që nga transferimi i tij te Olympique Marseille por pavarsisht këtij fakti, Roberto Mancini njeriu që i dha mundësinë e debutimit te Interi që në moshën 17-vjeçare, nuk e grumbulloi për dy sfidat e para kualifikuese ndaj Finlandës dhe Lihtenshtejnit. Supermario ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ky mosgrumbullim dhe në një intervistë ka shpërthyer duke dalë kundër trajnerit Mancini por edhe kundër të gjithëve.
“Një ditë mund të keni nevojë për mua dhe unë do të jem gati, ashtu siç kam qenë edhe gjatë këtyre 3 viteve të fundit, por më keni nënvlerësuar. Unë nuk jam një robot, një epidemi apo një budalla. Shpesh nuk përgjigjem për të evituar polemika dhe tensione të kota. Gjithçka e grumbulloj brenda meje, por një ditë mund të shpërthej edhe unë kundër të gjithëve”, tha Balotelli.
“Ju lutem, më respektoni aq sa edhe unë e respektoj Italinë dhe më pas do të jemi të gjithë së bashku në të njëjtën linjë dhe jo kundër. Nuk pretendoj që të më përkëdhelni, apo të më konsideroni një fenomen. Nëse më respektoni ju garantoj se do të merrni më të mirën nga unë. Nuk po bëj asgjë të keqe, për të mos më respektuar. Ndaj dua që të ndihem si gjithë të tjerët”, u shpreh Balotelli.



