“S’ka pengesë që na ndalon”, tifozët e kuq “kërcënojnë” Kukësin!
Kryesfida e javës së radhës në Superiore do të jetë Kukësi-Partizani, që do të luhet të premten, ora 18:00, në “Loro Boriçi”. Klubi verilindor, si pritës, ka nxjerrë në shitje biletat, çmimi i të cilëve është dukshëm i shtrenjtë kësaj here. Kjo gjë nuk është pritur mirë nga tifozët kuksianë, por edhe ata të Partizanit. “Ultras Guerrils” kanë reaguar sot përmes një mesazhi kuptimplotë, duke thënë se ata nuk mund t’i ndalë asnjeri, asnjë pengesë, qoftë edhe financiare, si në rastin e sfidës me nëkampionët, ku bileta më e ulët është 10 mijë lekë të reja:
“Pasioni i tifozërisë së Partizanit nuk ka çmim. Akoma më qesharake është të mendosh se rritja e çmimit të biletës do ta pengojë dyndjen masive në këtë ndeshje.
Kemi udhëtuar më mijra kilometra atëherë kur ishim në ditët më të errëta të historisë së klubit, ku veç vetëfinancimit të udhëtimeve tona në qytete e fshatra të largët të çdo kategorie, me aq sa mundeshim kontribuonim edhe për lojtarët tanë të papaguar. Kemi sakrifikuar e vazhdojmë të sakrifikojmë sa herë është nevoja.
Fakti që dikush ka rritur çmimin e biletës me idenë se do të pengojë tifozërinë e Partizanit, ose do të përfitojë, duke pasur të sigurt masivitetin tonë, nuk na shqetëson, irriton apo provokon, përkundrazi, për ne është vlerësim. Kjo do të thotë që iu tremben koreve e këngëve tona, i tmerron ngjyra e kuqe dhe flamujt që valëviten, i tmerron uragani që krijohet, kur tifozëria e kuqe dyndet ashtu siç di ajo!
Nuk na kanë bërë përshtypje në gjithë sezonin oraret e pafavorshme, ndeshjet e së premteve dhe të hënave e s’do të na bëjnë përshtypje as kësaj radhe.
Së fundi kemi një thirrje për tifozërinë e kuqe: mobilizohu, organizohu dhe bashkohu me transfertën më të madhe të këtyre fazave të para! Ftoni miq e shokë, tifozë të rinj e të vjetër dhe së bashku t’i japim këtij kampionati ngjyrën që meriton. 20 autobusë do të jenë në dispozicion të uraganit të kuq. Kontribuoni dhe angazhohuni të gjithë, që ta bëjmë këtë transfertë të mbahet mend gjatë! S’ka njeri që na ndalon!”



