Rikthehet Musolli: Jam gati për Partizanin, vetëm fitorja na mban në lojë për titullin!
Besar Musolli është gati për të ndihmuar Kukësin me praninë e tij në fushë në këtë fund sezoni. Mesfushori kosovar është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe tashmë është në dispozicion të trajnerit Ndreu duke filluar nga sfida e kësaj të premteje ndaj Partizanit që mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion. Në një intervistë për Supersport, Musolli ka folur për gjëndjen e tij fizike dhe për sfidën direkte për titull ndaj Partizanit.
GJENDJA FIZIKE – “Ka një muaj e gjysmë që kam filluar të bëj stërvitje me grupin. Shyqyr zotit gjithçka ka shkuar mirë. Ndihem 95% gati, patëm një miqësore ku u aktivizova për rreth 30 minuta dhe çdo gjë ishte mirë. Tani varet nga trajneri nëse do të aktivizojë ose jo”.
PARTIZANI – “Normalisht deri tani kanë bërë shumë pasi dhe fakti që janë nëntë pikë larg nesh tregon që kanë bërë shumë mirë. Mendoj se kjo ndeshje është një finale për ne sepse po na mundën ose barazuan mendoj se janë zyrtarisht kampion”.
STADIUMI – “E para mendoj se fusha e “Loro Boriçit” të ndihmon të luash futboll, pasi siç dihet fusha e Kamzës nuk është dhe aq e mirë. Ne kemi zhvilluar ndeshje të tjera atje që na kanë sjellë fat, shpresoj që dhe kjo të sjellë fat për ne”.



