Kategoria Superiore

Sa shumë mungesa për Partizanin, edhe Bardhi jashtë!

Partizani me mungesa të shumta në prag të supersfidës së javës së 26-të, me Kukësin, në “Loro Boriçi”. As pauza e kampionatit nuk u ka ardhur në ndihmë të kuqve për të riaftësuar në kohë të dëmtuarit, përkundrazi numri i mungesave mund të shkojë deri në 6. Dihet tashmë që Hektor Idrizaj do të mungojë për një kohë të gjatë për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në kupën e gjurit, edhe Bruno Telushi pritet të rikthehet në derbin me Tiranën në fazën e katërt, pas operacionit për të hequr ajrin e tepërt në mushkëri, ndërsa Lum Rexhepi është i pezulluar për arsye kartonësh. Deri në këtë pikë, mungesat janë të logjikshme dhe priteshin, por problemet nuk mbyllen me kaq.

Dilaver Duka, që ishte një alternativë për të marrë vendin e Telushit është dëmtuar me Partizanin B, ndërsa Rubin Hebaj mbetet në infermieri po për arsye fizike. Të Partizanin besonin se do të riaftësohej në kohë Jurgen Bardhi, që mungoi edhe ndaj Teutës, por talenti i Partizanit edhe në seancën e fundit nuk është stërvitur me pjesën tjetër të grupit dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë në dispozicion të Gegës për sfidën me verilindorët.

Për të gjitha këto arsye, Gega është i detyruar të bëjë ndryshime në formacion, me Mensah që pritet të luajë në majë të sulmit, rol që e ka bërë edhe më parë, ndërsa në mesfushë pas tij pritet të rreshtohet Jaiteh. Para mbrojtjes, përkrah Hilës do të jetë Kote, ndërsa Atanda në qendër të mbrojtjes, ku mungon Rexhepi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency