Kategoria Superiore

Gega me këmbë në tokë: Besoj te matematika, telefonova Bushin për deklaratat ndaj Malës

Intervista e trajnerit të Partizanit, Skënder Gega, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pasi “të kuqtë” morën një barazim shumë të rëndësishëm 1-1 në transfertën ndaj Kukësit, në “Loro Boriçi”.

Mblodhe të gjithë lojtarët dhe më pas festuat me tifozët. Pas këtij barazimi, duhet të pranoni se jeni shumë më pranë titullit…
Dua të falënderoj të gjithë tifozët, që asnjëherë nuk na kanë lënë vetëm dhe na kanë mbështetur që nga fillimi i sezonit. Vuajtëm mungesën e Telushit e Malajt, gjë që u pa edhe në fushë, pasi nuk jemi në nivelin që të mund të zëvendësojmë pa problem të tilla mungesa. Megjithatë grupi i kalon gjërat bashkë dhe pikërisht falë grupit, morëm atë barazim, që na duhej sot këtu.

Sa presion kishte në skuadër sot?
Jam munduar të mos e shfaq presionin te lojtarët. Dy-tre elementë erdhën vetëm një ditë më parë pranë skuadrës, por kishin konfidencë, pasi vinin nga grumbullimi me kombëtaret. Besoj se ata që luajtën sot dhanë më të mirën dhe justifikuan besimin.

10 javë nga fundi, keni 9 pikë më shumë se ndjekësi. Sa qetësi dhe siguri ju jep ky fakt?
Unë këtë vit kam filluar t’i besoj shumë matematikës, ndaj duhet të jemi me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë. Bëmë një ndeshje të mirë, përballë një rivali për t’u respektuar, por do të shohim ndeshje pas ndeshjeje pasi kemi rrugë për të bërë. Do të doja ta qetësoja veten, por është e pamundur, pasi kemi probleme dëmtimesh dhe kemi një kalendar të ngjeshur.

Fakti që kundërshtari nuk ju ndali edhe me kaq shumë mungesa, a do të jetë një bonus për ju, në rrugën drejt titullit?
Bonusi u takon lojtarëve që luajtën sot dhe dhanë më të mirën, duke luftuar edhe për të kompensuar mungesat e shokëve të tyre. Lojtarë si Telushi e Mala janë të rëndësishëm, por u munduam t’i kompensojmë mungesat e tyre, ndaj shpresoj t’i rikuperojmë sa më shpejt.

A u surprizuat nga formacioni i Kukësit sot?
Mendoj se në 25 minutat e para, Kukësi kapi mesin e fushës, aty ku ne kemi pasur pikën më të fortë. Nuk pati surpriza, pasi e prisnim rreshtimin e tyre. Me kalimin e minutave, filluam të marrim terren, duke u mbrojtur me shumë forca dhe duke kundërsulmuar rrezikshëm.

A dini ndonjë rast, kur vendi i parë ka pasur 9 pikë para kundërshtarëve dhe në fund është përmbysur?
Të them të drejtën nuk e kam verifikuar këtë, por mua më duken shumë pak për të qenë i qetë, pasi ka edhe shumë ndeshje.

Alban Bushi ka hedhur dyshime se Mala ka bërë si i dëmtuar dhe nuk ka luajtur për Shpresat. Keni një koment për këtë?
Në mëngjes e kam lexuar deklaratën e Bushit dhe u shqetësova pak, pasi Mala është sportisti dhe njeriu që unë gëzoj respektin më të madh, pasi nuk është abuzues. Kam telefonuar Bushin dhe e kam garantuar që Mala ka pasur probleme, ndaj nuk ka luajtur. Besoj se edhe Bushi është i qartë tashmë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency