Luftëtari-Skënderbeu, Tirana-Laçi dhe Teuta-Kastrioti, tre sfida të paparashikueshme!
Supersfida e javës së 26-të mes Kukësit dhe Partizanit që u zhvillua të premten i lë vendin tre sfidave të tjera të këtij raundi që do të luhen sot në 3 qytete të ndryshme. Në Gjirokastër në orën 14:00, Luftëtari do të presë Skënderbeun, të dyja skuadrat vinë me moralin e lartë dhe të çlodhura në këtë sfidë, kështu që parashikohet një ndeshje emocionuese dhe që pritet të dhurojë spektakël. Skënderbeu shkon në Gjirokastër me Dejvin Bregun i cili është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe mund të luajë titullar për herë të parë në një ndeshje zyrtare gjatë vitit 2019-të, pikërisht ndaj ish skuadrës së tij. Edhe Ahmataj në krahun tjetër ka në dispozicion një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës bluzi, mesfushorin Albano Aleksi të cilit i është ulur nga 4 në 3 ndeshje dënimi që mori nga Disiplina dhe sot do të jetë i gatshëm. Në orën 17:00 spikat padiskutim sfida që do të zhvillohet në stadiumin Selman Stërmasi ajo mes Tiranës dhe Laçit. Bardheblutë pa trajnerin Mema në stol do të kërkojnë një fitore edhe për teknikun e tyre i cili pak ditë më parë humbi babain e tij, ish legjendën e Tiranës Ali Mema i cili u nda nga jeta. Disa javë më parë Tirana e mposhti pastër Laçin me rezultatin 3-0 në Kupën e Shqipërisë, megjithatë sot do të jetë një tjetër histori me bardheblutë që do të kënaqeshin edhe me një fitore 1-0 ndërkohë që në kraun tjetër Sulejman Starova për të cilin kjo sfidë është si një derbi do të kërkojë tre pikët e para si trajner i Laçit, pasi aventurën e tij me kurbinasit ish-trajneri i Partizanit e nisi me një barazim pa gola ndaj Flamurtarit. E fundit por jo më pak e rëndësishmja është sfida e Niko Dovanës mes Teutës dhe Kastriotit. Skuadra e Shkëmbit do të kërkojë të rikthehet te fitorja për të mos vënë në rrezik vendin e 3-të, por përballë Kastriotit të Devollit një prej skuadrave më të mira të fazës së tretë që lufton për mbijetesën, misioni për të marrë 3 pikët nuk do të jetë aspak i lehtë për Djemtë e Detit.



