Shkëmbi: Fitore shumë e rëndësishme, ishim në ngërç psikologjik
Intervista e trajnerit të Teutës, Blendi Shkëmbi, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në përfundim të takimit që durrsakët fituan me rezultatin minimal përballë Kastriotit.
E kishit menduar kaq të vështirë rikthimin te fitorja?
Me sinqeritet e kisha menduar shumë të vështire, pasi përveç pjesës psikologjike, që kishte shkaktuar një periudhë jo e mirë, ishte edhe ekipi kundërshtar, që po bën një kampionat mjaft të mirë në këtë gjysmë të dytë të sezonit. Ata luajnë në mënyrë shumë agresive dhe nuk të lejojnë të dalësh në lojën e duhur.
Pamë edhe raste të shumta, por mungonte finalizimi. A ndikoi ngarkesa psikologjike në këtë aspekt?
Është e vërtetë që patëm disa mundësi për të shënuar golin e dytë, por ana psikologjike ndikon. Megjithatë për fat të mirë ky 3-pikësh do të na bëjë mirë, në një kohë kur jemi në prag të ndeshjes së Kupës në mesjavë.
Si është gjendja e Sidibes?
Po pres edhe unë të marr një informacion, por akoma nuk di të them diçka. Shpresoj të jetë mirë, pasi është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë.
Pse skuadra nuk arriti të ruajë ritmin e pjesës së parë?
Në pushim këshillova që të ruanim ritmin, por u bë e vështirë edhe për meritë të kundërshtarit. Për më tepër, kishim edhe erën kundër në pjesën e dytë, ndaj nuk arritëm të qarkullojmë si duhet topin.
Fituat me autogol, ndërsa sulmi duket se vijon të jetë në ngërç. Çfarë nuk po funksionon me Bushiç dhe Latif?
Duke parë ndeshjen e sotme, Bushiç bëri një ndeshje shumë të mirë, duke ndihmuar edhe ekipin,. Ai, por edhe Latif e Kamara, kanë besimin tim dhe jam i bindur që sapo të kalojnë këtë ngërç psikologjik, do të kthehen të shënojnë gola të shumtë.



