Premier League

Solskjaer feston kontratën me fitore, Evertoni triumfon në Londër

Ole Gunnar Solksjaer firmosi pak ditë më parë për tre vjet si trajner me kohë të plotë i “djajve të kuq”, megjithatë United zhvilloi ndeshjen më të dobët me 46-vjeçarin norvegjez në stol dhe vendasit ishin vërtet me shumë fat që mundën skuadrën e Watford-it me rezultatin 2-1.

Në “Old Trafford” ekipi i Javi Gracia-s dominoi takimin, sidoqoftë “red devils” kaluan në epërsi pa u mbushur as gjysmë ore lojë. Merita shkon për mbrojtësin Luke Shaw, që fillimisht theu aksionin e skuadrës kundërshtare dhe më pas i ofroi një top të shkëlqyer sulmuesit Marcus Rashford, i cili mposhti portierin Ben Foster.

Miqtë gabuan shumë në zonën e Manchester United, sidoqoftë pikërisht atëherë kur pritej goli i barazimit, vendasit dyfishuan shifrat në të 72-tën, me një gol të dyshimtë të sulmuesit francez Anthony Martial. Goli i ngushëllimit për Watford-in erdhi vetëm në minutën e fundit, kur mesfushori Abdoulaye Doucoure depërtoi në qendër të zonës, për të vulosur edhe rezultatin përfundimtar 2-1 në favor të “djajve të kuq”, fitore që e ngjiti përkohësisht ekipin e trajnerit nordik pikërisht në Zonën Champions.

Dominoi ndeshjen, por ndryshe nga Manchester United, e meritoi plotësisht fitoren ekipi i Evertonit, që mundi West Ham-in brenda në kryeqytet me rezultatin 2-0. Kurt Zouma prishi ekuilibrin në “Stratford” që në minutën e pestë, teksa shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, ndërsa golin e dytë për miqtë nga Merseyside e realizoi braziliani Bernard, që në të 33-tën vetëm sa shtyu në rrjetë topin e shkëlqyer që i ofroi mbrojtësi irlandez Seamus Coleman, triumf që tashmë e ngjit ekipin e Marco Silva-s në dhjetëshen e parë të kampionatit anglez, me vetëm një pikë më shumë se “çekanët” e Pelegrinit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency